E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petraeus largohet nga CIA

David Petraeus, drejtor i Agjencisë Amerikane të Inteligjencës, CIA, ka dhënë dorëheqje.

Petraeus, në një deklaratë të lëshuar ka pranuar një aferë jashtëmartesore, për ç'gjë ka thënë se e bën të papërshtatshëm vazhdimin e tij në krye të inteligjencës amerikane.

Petraeus, që është i martuar për 37 vjet, ka thënë se ka treguar “një gjykim tepër të varfër”.

Zëvendësdrejtori i CIA-s Michael Morell është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të CIA-s.

Presidenti Barack Obama e ka pranuar dorëheqjen, në një deklaratë në të cilën e lavdëron Petraeusin si një nga gjeneralët më të shquar të gjeneratës së tij dhe shprehu besimin se CIA do të vazhdojë të lulëzojë.

Obama tha se “mendimet dhe lutjet “ e tij janë me Petraeusin dhe gruan e tij.

Petraeus, një gjeneral i pensionuar me katër yje, që ka komanduar forcat amerikane në Irak dhe Afganistan, u vu në krye të CIA-s në vitin 2011.

Nuk u bë e qartë menjëherë nëse afera ka paraqitur problem të pastër personal për Petraeusin, apo ka rritur edhe shqetësimet e sigurisë që do të mund të ndikonin punën e tij në krye të agjencisë amerikane të spiunimit.

Raportet kanë cituar zyrtarë amerikanë të kenë thënë se afera është zbuluar nga një hetim i FBI-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›