Thaçi-Daçiç: Do të lidhemi me autostradë

Nga takimi i parë mes Thaçit dhe Daçiçit në zyrën e Ashton
Takimi i dytë në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiç, ishte më i frytshëm, pasi u ra dakord për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e mëparshme, por edhe për nisjen e punimeve për autostradën Kosovë-Serbi. Pas përfundimit të takimit, ndërmjetësja Katerin Ashton, kryediplomatja europiane, tha se: “Të dyja palët kanë rënë dakord për të krijuar një ekip teknik pune të përbashkët për të përgatitur një studim fizibiliteti për autostradën Nish- Prishtinë”. Realizimi i kësaj autostrade, e cila pritet të financohet nga Bashkimi Europian, do të lidhë Prishtinën me Beogradin (autostrada Beograd-Nish është ekzistuese) dhe është vazhdim me autostradën Durrës-Prishtinë, duke lidhur kështu edhe Portin e Durrësit me Beogradin. Kryeministri e ka vlerësuar takimin e së mërkurës në Bruksel si shumë konstruktiv. Ky takim ishte i dyti pas atij të 19 tetorit në Bruksel. Thaçi pohoi se është rënë dakord për takime të tjera për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ku datat do t’i përcaktojë Ashton. Në takim kryediplomatja Ashton ka kërkuar transparencë për fondet e Serbisë ndaj serbëve në Kosovë dhe më shumë mbrojtje për objektet e trashëgimisë kulturore e historike të serbëve. Në takim u fol edhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kryesisht Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM). Për këtë marrëveshje do të diskutohet sërish në muajin dhjetor. Gjatë një interviste për RTK, Kryeministri i Kosovës tha se është ngritur edhe domosdoshmëria e zgjidhjes së fatit të personave të pagjetur të luftës dhe se është biseduar edhe për strukturat e Serbisë në Kosovë.
Kosova në OKB
Një gazetë ruse me burime nga Ministria e Jashtme e këtij vendi, ka shkruar se platforma për Kosovën në qeverinë e re të Serbisë do të përfundojë me “kapitullimin e pakushtëzuar të Serbisë para Perëndimit”, i cili nënkupton pajtueshmëri të Beogradit që krahina e shkëputur (Kosova) të pranohet në OKB, si shtet i pavarur! Sipas “Ruska gazeta”, e afërt me Kremlinin, diplomatë nga Moska nuk kanë arritur ta bindin Beogradin se është më mirë që Kosovën ta lënë si konflikt të ngrirë për një kohë të pacaktuar, si dhe të mos nënshtrohen ndaj iniciativave të SHBA-ve dhe BE-së.