Obama rikthehet në heshtje, tani sfida për kabinetin e ri
Presidenti në Uashington, Suzan Rajs pritet ta ndjekë si sekretare Shteti.
Ikën Hilari Klinton, bastet: Kandidate për Presidencën 2016.
Presidenti Barak Obama po i kalon orët e para të kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë pa paraqitje publike e as takime me mediat. Në bordin e “Air Force One”, në rrugën drejt Uashingtonit, bashkë me familjen e tij, Obama nuk ka hyrë në kabinën e shtypit për të folur me gazetarët, siç ka bërë gjithnjë gjatë javëve të fushatës. Kur ai hyri në Shtëpinë e Bardhë, sipas “Nju Jork Tajms”, nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve që bërtisnin. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se Obama po monitoron zonat e goditura nga stuhia “Sandy”, të cilat janë ende në gjendje “të mjerueshme” dhe dje u goditën nga tjetër stuhi dimërore, e cila sërish shkëputi energjinë elektrike në disa zona. Një nga detyrat më të vështira që ka për të bërë Obama pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, është gjetja e një zëvendësuesi për Hilari Klinton. Sekretarja amerikane e Shtetit ka deklaruar zyrtarisht disa muaj më parë se do të tërhiqet nga detyra. Ajo mund të qëndrojë edhe disa muaj në mandatin e dytë të Obamës, derisa Presidenti të gjejë njeriun e duhur për ta zëvendësuar. Një prej emrave të mundshëm është Suzan Rajs, ambasadorja amerikane në OKB. Sa për Klinton, me gjithë deklaratat se ajo tërhiqet nga detyra për të gjetur qetësinë familjare, kanë nisur bastet se do të jetë garuesja e përzgjedhur e demokratëve për Presidencën në 2016. Madje kundërshtari i saj, sipas tyre, do të jetë Xhef Bush. Nuk ka pasur asnjë reagim nga Klinton për shkrimet mbi këtë opsion. Ndërkohë Obama do të bëjë një “shkundje” kabineti, ku disa zyrtarë do të ikin nga postet e tyre. Përveç Klinton, është e sigurt edhe ikja e Timoti Geithner, sekretari i Thesarit, i cili e ka deklaruar publikisht këtë. Mediat e mëdha amerikane shkruajnë se Obama do të zëvendësojë edhe sekretarin e Mbrojtjes, Leon Paneta, drejtorin e Shërbimeve të Inteligjencës Nacionale, Xhejms Kleper dhe përfaqësuesin e Tregtisë së SHBA-ve, Ron Kirk.
“Formula magjike”
Për të gjithë analistët, gara mes Obamës dhe Romnejt në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte shumë e fortë për të gjetur më parë fituesin. Por, një analist në të gjithë SHBA ka arritur të përcaktojë me saktësi rezultatet, paraprakisht shtet më shtet, me një “formulë magjike” matematikore. Neit Silvër, një analist 34 vjeç, ka pasur rezultatet më të sakta në blogun e tij “538″, të vendosur në faqen e “Nju Jork Tajms”.
Romnej “shpallet” President
Në faqen zyrtare në internet, kandidati republikan për President të SHBA-ve, Mit Romnej, për disa minuta u shfaq si fitues i zgjedhjeve presidenciale. Stafi elektoral i Romnejt e kishte përgatitur ndryshimin në faqen zyrtare përpara se të dëgjonte rezultatet, duke i shtuar një gafë më shumë gafave të vitit që ka bërë gjatë takimeve miliarderi 65-vjeçar, Romnej. Faqja e Romnej shpalli fitues kandidatin republikan, madje publikoi edhe pjesë të programit të tij si President. Romnej ishte “mprehur” kaq shumë të fitonte, sa, siç e tha edhe vetë, nuk kishte përgatitur fjalim për dështimin.
SUELA XHONUZI