E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iran/ Ahmadinexhad shkarkon 4 ministra

Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad largoi nga detyra ministrat e Kulturës, Shërbimeve Sekrete, të Punës dhe të Shëndetësisë, disa ditë para përfundimit të mandatit aktual të qeverisë, njoftuan sot mediat iraniane.
Sipas agjencisë së lajmeve "Mehr", që citon burime të sigurta "ministri i Shërbimeve Sekrete, Gholamhossein Mohseni Ejeie u largua nga funksioni i tij për shkak të një kundërshtimi verbal gjatë takimit të kabinetit për sa i përket emërimit të Esfandiar Rahim Mashaie si zëvendës president i parë.
Nga detyra u larguan gjithashtu edhe ministrat e Kulturës, Hossein Safar Harandi, i Punës, Mohammad Jahromi dhe i Shëndetësisë, Kamran Bagheri Lankarani, shtoi agjencia e lajmeve pa dhënë informacione mbi shkaqet e marrjes së këtij vendimi. Emërimi më 17 korrik i Rahim Mashaie provokoi kundërshtime në radhët e konservatorëve. Ata nuk e falin Rahim Mashaie, që në korrik të vitit 2008 konfirmoi se "Irani ishte mik i popullit amerikan dhe i popullit izraelit"

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›