Iran, "Paketë e re" propozimesh për Perëndimin
Qeveria iraniane bëri me dije se po përgatit një paketë të re propozimesh për Perëndimin. Manuçer Motaki, ministri i Jashtëm i këtij vendi tha se në të do të prekeshin "çështje të politikës dhe sigurisë ndërkombëtare". Qëndrimi i ri u bë i ditur gjatë një fjale të mbajtur nga Motaki në Teheran vetëm pak orë pasi liderët e Grupit të të Tetëve kritikuan Iranin për zgjedhjet e diskutueshme presidenciale. Gjatë këtij samiti, Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se liderët botërorë qenë "thellësisht të shqetësuar" nga programi nuklear i Teheranit, ndërkohë që vetë Irani i mohon akuzat sipas të cilave po përpiqet të prodhojë një bombë nukleare. Ministri i Jashtëm, Motaki, i zhvleftësoi shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar, duke thënë se "nga G8-a nuk kishte mbërritur asnjë mesazh i ri". "Do të paraqesim një paketë e cila do të përbëjë bazën e negociatave për të gjitha çështjet rajonale dhe ndërkombëtare", tha Motaki.