E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iran: Televizioni shtetëror pranon vrasjen e 4 protestuesve në Teheran

Një këshilltar i udhëheqësit të opozitës iraniane Mir Husein Mosavi
konfirmoi njoftimet se nipi i zotit Musavi është vrarë gjatë përleshjeve mes
forcave të sigurisë dhe protestuesve reformistë.

Faqet elektronike të opozitës citojnë këshilltarin të ketë thënë se Ali
Musavi u vra sot në Teheran. Nuk është ende e qartë në se ai ishte mes katër
aktivistëve që faqet elektronike të opozitës thanë se u qëlluan për vdekje sot
nga policia.

Por policia iraniane e mohon vrasjen e protestuesve gjatë përleshjeve sot
me forcat e sigurisë.

Zëri i Amerikës ka marrë disa fotografi të viktimave që duket të jenë
qëlluar.

Dëshmitarët thanë se panë përleshje të ashpra mes demonstruesve dhe
policisë së armatosur me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.

Ata thanë se dëgjuan sirena ambulancash, helikopterë të policisë dhe
protestuesit që thërrisnin vdekje diktatorit.

Në faqet elektronike të opozitës thuhet gjithashtu përleshje të ngjashme
pati në qytetet iraniane të Isfahanit dhe Naxhafabadit.

Qeveria e Iranit i ka ndaluar mediat e huaja të raportojnë
drejtëpërsëdrejti demonstratat duke e bërë të pamundur verifikimin e
informacioneve. //mm//

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›