E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani rregullues, sot në Këshillin Bashkiak

Anëtarët e Këshillit Bashkiak janë njoftuar se sot do të mblidhen për të diskutuar një sërë çështjesh lidhur me problemet e qytetit dhe marrjen e disa vendimeve të rëndësishme për përmirësimin e ecurisë së punëve që ndihmojnë qytetarët e Tiranës. Këshilli Bashkiak mblidhet pas më shumë se një muaji, nga ku çështja kryesore e diskutimit të planit rregullues të Tiranës solli shumë konvergjenca, të cilat çuan në mbyllje të seancës në më pak se 30 minuta. Plani rregullues i Tiranës do të jetë përsëri një çështje e lënë në fund të të gjitha diskutimeve, por jo për nga rëndësia. Sot, në orën 18:00, Këshilli Bashkiak do të mblidhet për të mbaruar ato punë të cilat nuk duhet të shtyhen më pas përfundimit të vitit 2009.

Këshilli Bashkiak

Situata në vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak është tensionuar gjithmonë e më shumë. Duke nisur edhe nga numri i anëtarëve të Këshillit Bashkiak, aktualisht anëtarët e PD-së dhe LSI-së përbëjnë mazhorancën e kësaj strukture. Konkretisht, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 18 shkurtit 2007: PS mori 21 mandate, PD 17, LSI 6, PR 2, PAD 1, BLD 1, LZHK 1, PAA 1, PBDNJ 1, PDR 1, PDI 1, PSD 1 dhe PDK 1.

Miratimi i planit rregullues të Tiranës në Këshillin Bashkiak është hallka e dytë që duhet të kalojë ky plan pas miratimit në Këshillin e Rregullim-Territorit të Tiranës. Më pas vendimi përfundimtar merret nga KRRTRSH-ja, Këshilli i Rregullim-Territorit të Republikës së Shqipërisë.

Këshilli Bashkiak zgjidhet për një periudhë 3-vjeçare. Mandati i këshilltarit është i vlefshëm nga koha që këshilltarët bëjnë betimin dhe e nënshkruajnë atë, deri në konstituimin e këshillit pasardhës.

Plani rregullues i Tiranës

Mbledhja e Këshillit Bashkiak lidhur me planin rregullues të kryeqytetit ka dështuar edhe një herë tjetër në datën 19 shtator. Ky plan ka qenë objekt për një lumë akuzash në adresë të kryebashkiakut, disa herë me radhë nga ana e përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike. Kreu i Partisë Demokratike e mbështeti një pjesë të mirë të fushatës së tij elektorale te mungesa e një plani urbanistik të kryeqytetit. Për këtë detaj u bë me faj gjithnjë kryebashkiaku Edi Rama. Demokratët thoshin se arsyeja pse bllokohet plani urbanistik ka të bëjë me dhënien e lejeve të ndërtimit në mënyrë selektive.

Plani rregullues i qytetit të Tiranës, një nga dokumentet më të rëndësishëm për kryeqytetasit, edhe një herë ka shkaktuar debate, duke u bërë "mollë sherri" në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak. Jo vetëm që nuk është nxjerrë asgjë në dritë, por ende pa nisur mirë prezantimi i programit në "Power Point". Kur drejtuesi i planit rregullues, përfaqësuesi i firmës holandeze që është kontraktuar nga bashkia, fliste në një video, anëtarët e Këshillit Bashkiak të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk kanë pranuar ta vazhdonin më tej seancën dëgjimore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›