E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iran, përjashtohet mundësia e anulimit të zgjedhjeve

Teheran- Organizmi më i lartë legjislativ i Iranit ka përjashtuar çdo vendim për anulimin e zgjedhjeve presidenciale të 12 qershorit, sikurse ishte kërkuar nga dy kandidatë të mundur presidencialë, njoftoi sot televizioni shtetëror.

"Këshilli i Gardianëve hedh poshtë kërkesat për anulimin e zgjedhjeve presidenciale të 12 qershorit duke theksuar se në zgjedhje nuk ka patur parregullsi të shumta", njoftoi televizioni "Press TV", që transmeton në gjuhen angleze.

Ky njoftim bëhet vetëm një ditë pasi një nga kandidatët humbës, kleriku pro-reformator Mehdi Karubi ripërsëriti kërkesën e tij për anulimin e zgjedhjeve, që konfirmuan rizgjedhjen e presidentit konservator Mahmoud Ahmadinexhad.

Këshilli i Gardianëve kishte deklaruar edhe më parë se nuk do të anulojë zgjedhjet dhe javën e kaluar njoftoi se do të rinumëronte vetëm 10 për qind të votave të disa zonave të zgjedhura rastësisht. Autoritetet iraniane kanë hedhur poshtë akuzat për manipulimin e zgjedhjeve.

Publikimi i rezultatit zyrtar të zgjedhjeve më 13 qershor shkaktoi protestat më të gjera popullore në vend që pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›