Irani: Mbyllim rrugët e naftës

Irani deklaroi se mund të mbyllë një rrugë kryesore të kalimit të naftës në perëndim, nëse ndaj vendit do të vendosen sanksione të mëtejshme për zhvillimin e programit të tij bërthamor.
Zëvendëspresidenti Mohammad Reza Rahimi paralajmëroi të mërkurën se “asnjë pikë nafte” nuk do të kalojë në Gjirin e Hormuzit nëse embargo do të forcohet.
Admirali dhe komanduesi i të gjitha forcave detare, Habibollah Sayari, deklaroi më pas se një veprim i tillë ushtarak nuk do të ishte aspak i vështirë nga forcat ushtarake iraniane. “Për forcat tona detare, një veprim i tillë do të ishte po aq i thjeshtë sa edhe pirja e një gote uji. Për momentin, nuk e kemi parë të arsyeshme që të ndërmarrim një veprim të tillë që do të godiste rëndë ekonominë botërore, por nëse vendi ynë do të izolohet, do të jetë i detyruar ta bëjë këtë”.
Sipas Shteteve të Bashkuara, Irani është duke u përpjekur të ndërtojë një armë bërthamore. Vetë Teherani e pranon që po zhvillon energjinë bërthamore, por thekson se diçka të tillë e bën vetëm për përdorim civil.
Nëpërmjet ngushticës së Hormuzit, kalon 40% e sasisë së naftës në vendet perëndimore.