Irani: Perëndimi ndikim negativ, do të dëbojmë ambasadorët e BE-së
Blerina Olldashi
Fuqitë perëndimore kërkojnë të pengojnë Iranin duke përhapur anarki dhe vandalizëm. Kështu deklaroi dje Ministria e jashtme e Iranit në lidhje me ndikimin e qeverive perëndimore ndaj çështjes së zgjedhjeve të cilat po kundërshtohen nga opozita.
Në këtë situatë Irani mund të dëbojë ambasadorët e vendeve europiane për ndërhyrje në punët e brendshme dhe për qëndrimin e mbajtur ndaj protestave antiqeveritare në Teheran. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Hasan Qashqavi tha se dëbimi i diplomatëve do të diskutohet fillimisht në parlament dhe më pas do të dilet me një vendim. “Çështja e dëbimit të diplomatëve të huaj të akredituar në Iran, kryesisht të atyre europianë, për momentin është duke u diskutuar në parlament dhe unë nuk mund të flas pa u marrë një vendim më parë nga anëtarët e parlamentit”,– tha Qashqavi. “Ministria e Jashtme ka paraqitur në një mbledhje të qeverisë një sërë dokumentesh të cilat provojnë ndërhyrjen para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të disa vendeve europiane nëpërmjet tre rrugëve: asaj politike, shërbimit të fshehtë dhe medias”- shtoi më tej Qashqavi. Ministria e Jashtme iraniane ka akuzuar Britaninë e Madhe për organizimin e një komploti kundër zgjedhjeve presidenciale në Iran që para dy vjetësh. Zëdhënësi i ministrisë tha se mediat e huaja po bëheshin zëdhënës të qeverive armike që kërkonin disintegrimin e Iranit. Thirrje perëndimit të mos ndërhyjë në Iran i bën edhe Garda Revolucionare e këtij vendi, e njohur ndryshe si Pasdaran. Anëtarët e Gardës bënë të ditur se janë të gatshëm të përballen me protestuesit. Në një komunikatë të publikuar në mediat lokale, ata i kanë bërë thirrje Perëndimit që të mos i mbështesë “të rebeluarit”. “Paralajmërojmë fuqitë arrogante që të mos ndërhyjnë në çështjet e brendshme të Iranit dhe të mos mbështesin rebelët”,- thuhet në komunikatë. Garda Revolucionare përbëhet nga qindra mijëra ushtarakë që janë nën komandën e ajatollahut Ali Khamenei. Në këtë reagim ata kanë shtuar se “protestat e nisura pas zgjedhjeve presidenciale tregojnë se po bëhet një komplot kundër revolucionit”. Nga ana tjetër, ish-kandidati i moderuar në zgjedhje, Mir Hosein Mousavi ka deklaruar se është e drejta e popullit të vazhdojë të protestojë kundër rezultatit të zgjedhjeve. Ai u ka kërkuar mbështetësve të tregohen të përmbajtur dhe të mos përdorin dhunën. Televizioni shtetëror iranian njoftoi se të paktën 10 veta u vranë të shtunën duke e çuar numrin zyrtar të të vrarëve në 17 që kur filluan protestat. Policia përdori gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe pompa uji në përpjekje për të shpërndarë protestuesit, të cilët u grumbulluan megjithë paralajmërimin e udhëheqësit suprem Ali Khamenei për t’i dhënë fund protestave. Ndërkohë, organizmi mbikëqyrës i zgjedhjeve në Iran, Këshilli i Rojeve, e ka pranuar se në 50 rajone ka patur parregullsi në zgjedhjet e konetstuara presidenciale. Zëdhënësi i Këshillit, Abas Ali Kadkhodaei, tha se numri i votave të mbledhura në këto zona ishte më i madh se ai i personave që kanë të drejtë të votojnë. Por ai shtoi se megjithatë, ky numër nuk është i mjaftueshëm për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të fituara nga Presidenti Ahmadinejad.
23 Qershor 2009