Bakojanis: “Presim qëndrim të ri për emrin nga Shkupi”
Ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis ka deklaruar se Ahtina pret një qëndrim të ri për emrin nga Maqedonia. “Ata e kanë marrë porosinë nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s dhe besoj se në raundin e ri të negociatave do të vijnë me një qëndrim të ri, në mënyrë që t’i japim zgjidhje çështjes”,- ka pohuar Bakojanis. Deklarata e saj vjen në kuadër të takimit të negociatorëve grekë dhe maqedonas në Gjenevë, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të OKB-së Metju Nimiç. E pyetur nga mediat mbi mundësinë e një takimi mes saj dhe homologut maqedonas Antonio Milloshoski gjatë samitit të OSBE-së, Bakojanis ka theksuar se do të përpiqet që ta realizojë një takim të tillë. Ndërkohë kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Greuvski deklaroi dje se do të jenë qytetarët e vendit ata që do të japin fjalën e fundit për çështjen e emrit kushtetues.
Obama: “Të gatshëm ndaj një sulmi të Koresë së Veriut në Havai”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama në një intervistë për televizionin CBS në Uashington foli për situatën e tensionuar të krijuar më Korenë e Veriut dhe për masat e ndërmarra në rast të një sulmi nga Peniani në Havai. “Kjo administratë është gati për çfarëdo të papritur. Ne jemi të gatshëm për çdo ndodhi të papritur që të sigurojmë popullin amerikan”- tha Obama. I pyetur nëse këto komente ishin paralajmërim për përgjigje ushtarake, Obama tha “Jo”. Më 25 maj Koreja e Veriut kreu një test nuklear dhe mund të tentojë hedhjen e një rakete drejt ishujve Havai si kundërpërgjigje ndaj embargos së vënë nga OKB-ja për provat bërthamore.
Atentat me bombë, plagoset presidenti i Ingushetisë
Presidenti i Republikës jugore ruse të Ingushetisë, Yunus-Bek Yevkurov, ndodhet në gjendje të rëndë pas një atentati ndaj tij.
Njoftimet thanë se një roje personale është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur, përfshirë edhe vëllain e presidentit. Autokolona e makinave që shoqëronin presidentin u godit nga një bombë e vendosur në rrugë në periferi të qytetit të Nazranit. Presidenti është zyrtari i tretë i lartë që sulmohet në tre javët e fundit. Asnjë nuk ka marrë përgjegjësi për sulmin, megjithatë thuhet se ka mundësi të jetë kryer nga separatistë myslimanë që janë kundër sundimit rus në Ingusheti. Kreu i qeverisë së Ingushetisë, Rashid Gaizsanov është caktuar tani si president i përkohshëm.
23 Qershor 2009