Zgjedhjet lokale, ashpërsohen raportet PDK-AAK në Kosovë
Afrimi i mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë ka përkeqësuar edhe marrëdhëniet mes zyrtarëve të Partisë Demokratike, në pushtet, dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në opozitë. Vëzhgues të situatës në Kosovë kanë shfaqur me këtë rast frikën e përshkallëzimit të situatës në prag të mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Udhëheqësit e të dyja partive politike kanë shkëmbyer një numër akuzash ndaj njëri-tjetrit ndërkohë që thuhet se ka patur edhe kërcënime serioze. Përshkallëzimi vjen në kohën kur presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka bërë të ditur datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, më 15 nëntor, që është cilësuar nga opozita si shpërfillje e kërkesave të saj. Autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje të gjitha partive politike që të punojnë në frymën e bashkëpunimit dhe konkurrencës së vlerave me qëllim që, siç thuhet, të vazhdojë konsolidimi demokratik i shtetit. Zgjedhjet lokale që mbahen në nëntor të këtij viti, do të jenë të parat në Kosovën e pas pavarësisë dhe ato do të organizohen nga autoritetet vendase.
23 Qershor 2009