Irani ekzekutoi 11 kryengritës sunitë
Irani ka ekzekutuar dje me varje 11 pjesëtarë të grupit militant sunit, Jundallah, grup ky i cili mori përsipër përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës me bombë kundër besimtarëve shiitë, i cili u ndërmor javën e kaluar, ka njoftuar një zyrtar.
“11 pjesëtarë të grupit Jundallah, të cilët gjatë muajve të kaluar kanë qenë të përfshirë në sulme terroriste në provincën Sistan-Baluchistan, në përleshje me policinë dhe vrasjen e civilëve të pafajshëm, janë varur në burgun Zahedan”, deklaroi Ebrahim Hamidi, kryesues i departamentit lokal për drejtësi.
Junddallah është një organizatë militante sunite, e cila ka marrë përgjegjësinë për disa sulme të përgjakshme në provincën e Sistan-Baluchistanit, e cila kufizohet me Afganistanin dhe Pakistanin, përfshirë këtu edhe për sulmin e ndërmarrë më 15 dhjetor në Chabahar, me ç’rast u vranë 39 persona dhe u lënduan me dhjetëra të tjerë.
Hamidi theksoi se personat e ekzekutuar janë identifikuar dhe arrestuar nga forcat iraniane të sigurisë. Ai theksoi se këta persona janë akuzuar për korrupsion, për luftë kundër Zotit dhe profetit, si dhe për luftë kundër “regjimit të shenjtë të Iranit”. Sipas kodit penal të Iranit, për këto krime personat e akuzuar mund të dënohen me vdekje. Jundallah ka theksuar se po lufton për të drejtat e sunitëve në provincën e Sistan-Baluchistanit.