E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tension mes dy Koreve. Mbledhje urgjente e Keshilli te Sigurimit

Janë strehuar në  bunkerë banorët e 5 ishujve në Detin e Verdhë ndërsa në ujdhesën koreane tensionet mbeten të larta. Sikundër kishte paralajmëruar Koreja e Jugut zhvilloi të hënën një stërvitje artilerie me predha luftarake në një ishull pranë kufirit me Veriun. Stërvitja njëorëshe u kritikua ashpër nga Peniani, i cili kishte paralajmëruar se ajo mund ta detyronte që të kundërpërgjigjej në një shkallë më të gjerë dhe më fuqishëm se më parë.

Ndonjë reagim të drejtëpërdrejtë të Koresë së Veriut deri tani nuk ka pasur. Qeveria komuniste në Penian ka kërcënuar me masa ushtarake vendin fqinj, në qoftë se nuk heq dorë nga manovrat.

Muajin e kaluar Korea e Veriut goditi ishuj në jug pas një stërvitje të ngjashme të Seulit. Katër persona u vranë në atë rast. Ndërsa Korea e Jugut përgatitej për stërvitje, në New York, një mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurimit rreth krizës, përfundoi pa arritjen e ndonjë marrëveshje.

Ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice, tha se ndryshimet në qëndrimet e vendeve anëtare ishin aq të mëdha, sa nuk mund të tejkaloheshin.

Nga ana tjetër bëhet e ditur se Koreja e Veriut ka rënë dakord që të lejojë rikthimin e inspektorëve bërthamorë të OKB-së si pjesë e masave për të ulur tensionet në rajon. Ky hap u ndërmor gjatë një misioni të të dërguarit të posaçëm amerikan, Bill Richardson në Korenë e Veriut.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›