Irani ekzekuton dy kundërshtarë të regjimit
Me mijëra kundërshtarë të regjimit në Iran kanë përjetuar në lëkurën e tyre ashpërsinë e forcave të sigurisë, gjatë protestave të cilat u zhvilluan kundër qeverisë, në dhjetor dhe qershor të vitit të kaluar. Me qindra njerëz u arrestuan, 11 prej tyre u dënuan me vdekje, ndërsa dy prej tyre tani janë ekzekutuar.
Dy të ekzekutuarit janë dënuar si “armiq të Zotit” dhe janë ekzekutuar me varje, njoftoi sot agjencia iraniane e lajmeve, Insa. Mbeti e paqartë se a janë arrestuar të ekzekutuarit gjatë protestave në qershor apo në dhjetor.
Disa burime kanë njoftuar se që të gjithë 11 personat e dënuar me vdekje janë arrestuar gjatë protestave më 27 dhjetor, të cilat u organizuan për të demonstruar kundër rizgjedhjes së Mahmoud Ahmadinejadit për president.
Sipas agjencisë Insa, të gjithë të dënuarit me vdekje kanë qenë pjesëtarë të grupeve monarkiste dhe kanë synuar përmbysjen e regjimit në Teheran.
Sa i përket demonstratave të fundit, shërbimi i fshehtë i Iranit ka ngritur akuza të rënda edhe kundër dy diplomatëve gjermanë, për të cilët theksoi se kanë qenë të përfshirë në trazirat e dhjetorit. Më tutje u theksua se dy diplomatët gjermanë janë arrestuar, por kjo informatë u mohua nga Ministria e Jashtme e Gjermanisë.