E Diel, 1 Nëntor 2026

Clinton nuk do të shërbejë tetë vjet si Sekretare

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Clinton, theksoi se ajo nuk do të shërbejë tetë vjet në këtë funksion, nëse presidenti aktual, Barack Obama, siguron edhe mandatin e dytë tetëvjeçar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Clinton theksoi se ajo vërtetë e shijon punën e saj si Sekretare e shtetit, por shtoi se ky funksion është fizikisht mjaft i mundimshëm.

E pyetur se a do të shërbente tetë vjet të tëra, Clinton u përgjigj:”Jo, vërtetë nuk mundem. Tetë vjet-kjo do të ishte një gjë tejet sfiduese. Është kjo një punë 24 orë gjatë tërë javës dhe në një pikë, do të isha e lumtur që t’ia bartja funksionin ndokujt tjetër”.

Clinton përsëriti se nuk do të kandidohet sërish për presidente, duke theksuar se ajo dëshiron një jetë private pas karrierës, gjatë së cilës ka shërbyer si Zonjë e parë dhe si senatore.

“Ka shumë gjëra për të cilat jam e interesuar, që t’i kthehem jetës private, të kalojë kohën duke lexuar dhe shkruar, e ndoshta edhe duke ligjëruar. Ndoshta do të ndërmarrë edhe udhëtime private, jo atë lloj të udhëtimeve gjatë se cilave ju shoqërojnë me qindra njerëz”, tha ajo.

Clinton më tutje shtoi se synon që gjatë gjithë jetës së saj të jetë avokate e fuqishme për të drejtat e femrave.

Sekretarja amerikane e shtetit, e cila shpesh po përballet me raporte kritike të medieve, theksoi se ajo ndjen kënaqësi gjatë bashkëpunimit me gazetarët, të cilët e mbulojnë punën e State Departmentit amerikan.

“Ata janë tejet të thellë. Ata jetojnë dhe marrin frymë me çështjet e vështira, me të cilat ne përballemi çdo ditë”, tha Clinton.

Ajo më tutje tha se qysh moti ka mësuar që të marrë seriozisht, por jo personalisht, shkrimet e medieve, por pranoi edhe brengat që ka pasur, gjatë fushatës së saj për t’u bërë presidentja e parë femër në historinë e SHBA-së.

“Ajo për të cilën kam qenë e përgatitur kanë qenë kritikat, për të cilat kam menduar se kanë më pak lidhje me mua, e më shumë lidhje me sjelljet ndaj femrave. Kjo më ka befasuar, ngase bëhet fjalë për vitet 2007 dhe 2008. Është kjo një çështje, për të cilën ne ende duhet të punojmë shumë”, tha Clinton.

Sekretarët e shteteve të SHBA-së në historinë më të re rrallë kanë shërbyer më shumë se një mandat presidencial, por përjashtim këtu bën George Shultz, i cili ka shërbyer për gjashtë vjet e gjysmë si Sekretar në administratën e presidentit Ronald Reagan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›