E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kultivimi i frikës apo thirrja e EULEX-it për vrasjet e ardhshme

Prishtinë, 28 Janar NOA - Njëra prej
zëdhënëseve të shumta të EULEX-it, Christiina Herodes, dha një deklaratë në
Koha Ditore, lidhur me procesin e ringritur gjyqësor kundër Albin Kurtit.

Ajo tha se EULEX-it nuk i interesojnë fare
kriminelët që vranë dhe plagosën demonstruesit në demonstratën e 10 shkurtit
2007, dhe tha se shënjestër mbetet udhëheqësi i VETËVENDOSJE!-s, Albin Kurti.

Si mund të vetëquhet EULEX-i mision i
drejtësisë, kur nuk i interesojnë kriminelët? Çka është drejtësia, nëse nuk
është vendosja e të drejtës dhe realizimi i saj, kërkimi i kriminelëve,
arrestimi dhe gjykimi e dënimi i tyre?.

Këto janë pyetjet që shtron Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas saj, kjo deklaratë duhet kuptuar si thirrje
për vrasje të ardhshme, sepse nuk është se u dha ndonjë arsyetim teknik lidhur
me pamundësinë e ndjekjes së vrasësve, por u dha një qëndrim politik lidhur me
vendimin që kriminelët të mos ndiqen e ndëshkohen.

Ky trimërim i krimit po jepet si porosi e
qartë për të gjithë ata që guxojnë ta shprehin vullnetin dhe bindjet e tyre
politike me demonstratë, e drejtë kjo e garantuar me Deklaratën Universale të
të Drejtave të Njeriut si dhe me Konventën e Evropiane të të Drejtave të
Njeriut.

EULEX-i po i shkel të dyja këto. EULEX-i po
na e ngrit një sistem të atillë të drejtësisë që të frikëson për shprehjen e
mendimit dhe bindjes politike me protestë, sepse po demonstron që shkelësit
amnistohen, kurse shprehësit e vullnetit politik ndëshkohen, - thotë më tej
Vetëvendosje.

Sipas saj, ky veprim i misionit që e quan
veten evropian, është në kundërshtim të plotë me vlerat demokratike evropiane
të inkurajimit të shprehjes së lirë dhe bindjes politike, por edhe me frymën e
konventave kryesore ndërkombëtare e evropiane që mbrojnë këto liri
fundamentale.
Krijimi i mjedisit shoqëror në të cilin kultivohet frika nga manifestimi i
vullnetit të lirë qytetar, është armiku kryesor i demokracisë dhe qytetarisë
aktive, vlerëson Lëvizja.

Përveç kësaj, Herodes tha se Albin Kurtit do
ti garantohet një gjykim i drejtë dhe i pavarur.

Këtu Vetëvendosje komenton se Herodes është
mirë ta marrë vesh se këtu nuk është problem gjykimi i drejtë, por rasti i
padrejtë.

Kur rasti është i padrejtë, gjykimi a priori
është i padrejtë dhe nuk mund të jetë i pavarur. Tjetërkush do të duhej të
ishte i akuzuari. Në bankën e të akuzuarit do të duhej të ishte fajtori. Ai që
e ka kryer veprën e dënueshme. Ai që ka vrarë. Ai për të cilin dihet. Ai që iku
nga Kosova. Ai që nuk po iu intereson. Ai të cilin po e mbroni. Dhe, me siguri e
dini nga ato pak leksione që keni marrë nga fusha e drejtësisë, se mbrojtja e
kriminelit është bashkëpjesëmarrje në krimin e tij, - përfundon Vetëvendosje.

a.b/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›