E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani kritikon planet e SHBA-së në Gji

Irani ka kritikuar sot masat e SHBA-së për të forcuar sistemet e veta të mbrojtjes kundërajrore në Gjirin Persik, për t’u mbrojtur nga sulmet e mundshme raketore nga territori i Iranit, duke e cilësuar këtë si një komplot politik, për të shtuar praninë ushtarake të SHBA-së në rajon.

Kryetari i parlamentit të Iranit, Ali Larijani, theksoi se forcimi i sistemeve të mbrojtjes në Gji vetëm sa do t’i shkaktojë më shumë telashe forcave amerikane.

“Shtetet rajonale duhet ta dinë se kjo shfaqje e SHBA-së, përderisa thekson se ka për qëllim forcimin e sigurisë në rajon, nuk është asgjë tjetër, pos një komplot i ri politik, për të shtuar praninë ushtarake amerikane në kurriz të te tjerëve”, tha Larijani.

Këto komente ai i bëri pas raporteve se administrata e Barack Obamës ka forcuar në heshtje sistemet e veta të mbrojtjes në Gji. Një zyrtar i flotës detare të SHBA-së ka theksuar javën e kaluar se SHBA-ja ka shtuar praninë e anijeve, të cilat janë të afta që të rrëzojnë raketat e armikut gjatë fluturimit.

Sistemet mbrojtëse janë përforcuar, në prag të imponimit të mundshëm të sanksioneve të reja kundër Iranit, për shkak të refuzimit të Teheranit që të ndal procesin e pasurimit të uraniumit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›