E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani lëshon në hapësirë anijen kozmike "Kavoshgar 4"

TEHERAN- Irani ka lëshuar të martën anijen e tij të re "Kavoshgar-4" që transportonte një "kapsulë jete", për të testuar këtë pajisje, që synon dërgimin e një kafshe në hapësirë, njoftoi sot agjencia zyrtare "IRNA".
"Republika islamike e Iranit lëshoi me sukses kapsulën e parë iraniane në hapësirë duke përdorur anijen 'Kavoshgar-4' ", bëri të ditur IRNA duke cituar presidencën iraniane.
"Kjo eksperiencë shkencore e rëndësishme u zhvillua më 15 mars nga agjencia hapësinore iraniane", shtoi IRNA.
Irani kishte njoftuar se do të zhvillonte teste të këtij lloji para përfundimit të vitit iranian (21 mars), gjë që mundësoi "testimin e performancave të sistemit (...) si dhe platformën e lëshimit, motorëve, sistemeve elektronike dhe të telemetrisë, ndarjes mes anijes dhe ngarkesës", sipas IRNA-s.

Irani, që ka dërguar tashmë një satelit në orbitë në vitin 2009 dhe ka dërguar kafshë të vogla në hapësirë në vitin 2010, ka njoftuar një program ambicioz hapësinor që shqetëson perëndimorët.
Këta të fundit i tremben faktit se Teherani mund të zhvillojë, prapa programit të tij shkencor, një kapacitet balistik që do t'i mundësonte më pas transportimin e mbushjeve të mundshme bërthamore, megjithë përgënjeshtrimet e Teheranit, i cili mohon që programet e tij bërthamore dhe hapësinore të kenë më të voglin dimensionin ushtarak.

Presidenti Mahmud Ahmadinexhad prezantoi në shkurt, me rastin e 32-vjetorit të revolucionit islamik të 1979, "kapsulën" e testuar të martën e konceptuar të mbajë një majmun.
Lëshimi i një kafshe të madhe në hapësirë u prezantua nga zyrtarët iranianë si "faza e parë e një projekti që do të dërgojë njeriun në hapësirë," e parashikuar nga Teherani për në 2020.
Anija "Kavoshgar-4", edhe kjo prezantuar në shkurt, u paraqit se është në gjendje të dërgojë një ngarkesë në 120 kilometra lartësi, dhe IRNA konfirmoi sot se testet transmetimit me tokën ishin kryer në këtë lartësi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›