Irani në prag lufte civile, policia vret 15 protestues
Autori i Lajmit: Redaksia
Teheran - Mediet botërore i kanë kushtuar një vend kryesor lajmit të përleshjeve të orëve të fundit në Iran ku situata është tensionuar shumë, madje thuhet se vendi islamik rrezikon dhe luftën civile. 15 është numri i viktimave civile gjatë orëve të fundit pas përleshjeve me forcat e rendit. Lajmin e ka konfirmuar televizioni shtetëror dhe sipas shërbimeve sekrete, viktimat janë 5 terroristë dhe 10 kundërrevolucionarë. Protestat e opozitës janë zhvilluar gjatë festës së Hashures, duke sfiduar sërish qeverinë e Ahmadinexhadit, që konsiderohet si e jashtëligjshme pas zgjedhjeve presidenciale. Ndërkohë, lideri disident Ebrahim Yazdi është arrestuar dy ditë më parë nga forcat e sigurisë. Mes viktimave është edhe nipi i liderit të opozitës, Mir Hossein Mousavi. 35-vjeçari u godit pranë sheshit “Engelab” dhe ndërroi jetë sapo u shtrua në spital. Lajmi u konfirmua nga një prej këshilltarëve të liderit opozitar, por dhe nga televizioni shtetëror iranian, i cili fillimisht e ka mohuar atë. Teherani po kalon një terr informativ, pasi celularët dhe interneti janë ndërprerë.
Të ndaluarit
Pas protestave të ashpra të dy ditëve të fundit, policia ka arrestuar bashkëpunëtorët më të ngushtë të liderit opozitar, Mir Hossein Mussavi. Mes të ndaluarve janë edhe gazetari Emadeddin Baqi, përgjegjës i shoqatës për të drejtat e të burgosurve. Ai konsiderohet si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Moussavit. Një tjetër i arrestuar është edhe shefi i zyrës elektorale Qorban Behzadian-Nejad, këshilltari Mohammad Baqerian si dhe shefi i kabinetit, Furuzandeh.
Perëndimi dënon dhunën
Parisi, Berlini, Roma dhe Uashingtoni kanë dënuar dhunën e policisë iraniane, duke theksuar se po shkelen të drejtat e njeriut. “Respektojmë kurajon që nderon popullin iranian dhe dënojmë arrestimet e njerëzve që kërkojnë të mbrojnë të drejtat e tyre”, - thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme të Francës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme franceze, Bernard Bolero, e cilësoi të papranueshme sjelljen e policisë iraniane: "Ne rikujtojmë se këta njerëz në rrugë po kërkojnë më shumë liri, më shumë demokraci, më shumë liri fjale. Ky represion nga ana e policisë është i papranueshëm. Ne kërkojmë një zgjidhje politike të situatës aktuale". Shtëpia e Bardhë dënon qeverinë e Teheranit për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve. “Shpresa dhe historia janë në anën e njerëzve që respektojnë të drejtat universale”, - shkruhet në deklaratën zyrtare të Uashingtonit. Zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në SHBA, Mike Hammer, deklaroi se asnjëherë nuk është e drejtë të qeverisësh duke përdorur frikën dhe dhunën. Kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti të papranueshëm përdorimin e dhunës nga forcat iraniane të sigurisë. Ajo bëri thirrje që të evitohet eskalimi i gjendjes dhe të kërkohet dialogu politik. Edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Vestervelle i bëri thirrje qeverisë në Iran ti japë fund dhunës. Në kumtesën e Ministrisë së jashtme të Italisë, po ashtu, dënohet goditja e forcave të sigurisë ndaj protestuesve, duke theksuar se “mbrojtja e jetës së njerëzve është vlerë thelbësore” dhe ka kërkuar dialog ndërmjet qeverisë iraniane dhe opozitës.
Përgjaket dhe Pakistani, 25 të vdekur nga sulmi kamikaz
Karaçi - Një zyrtar i lartë në qytetin pakistanez të Karaçit ka bërë të ditur se të paktën 25 vetë u vranë nga një kamikaz që pati si objekt një marshim të myslimanëve shiitë. Rreth gjashtëdhjetë vetë të tjerë u plagosën. Sulmi ishte i treti në Karaçi brenda tre ditësh. Një korrespondent i BBC-së në Islamabad thotë se ka njoftime të të afërmve të viktimave që po reagojnë. Dëshmitarët okularë thanë se disa kishin sulmuar zyra, gazetarë dhe punonjës të ambulancave. Disa ndërtesave u është vënë zjarri. Shiitët në gjithë Pakistanin kanë festuar Ashuren, një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar. Masa të forta sigurie ishin vendosur në gjithë vendin gjatë muajit të fundit. Qindra civilë janë vrarë në muajt e fundit në Pakistan, ndërsa ushtria vazhdon një ofensivë kundër militantëve talibanë në Uaziristanin Jugor dhe zonat përreth. Pakistani ka një histori të gjatë të dhunës midis myslimanëve shiitë dhe sunitë.
Ky lajm është publikuar: 29/12/2009