E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehu dhe Çu En Lai sulmojnë SHBA-në nga Pekini

Autori i Lajmit: Androkli DraloPekin, 1 maj 1966 – Kryeministrat e Kinës komuniste dhe Shqipërisë ndërmorën sulme të ashpra kundër Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ditën e djeshme gjatë një tubimi gjigant në prag të festimeve të ditës së 1 Majit. Kryeministri kinez, Çu En Lai, akuzoi se Bashkimi Sovjetik po “bashkohej me imperializmin amerikan dhe se po kurdisnin plane për tiu kundërvënë Kinës, Shqipërisë dhe gjithë popujve revolucionarë”. “Bashkimi Sovjetik, - tha kryeministri kinez, - ndërsa shfaqte mbështetjen e tij kundër agresionit amerikan ndaj Vietnamit Verior... është në të vërtetë duke e përdorur këtë mbështetje për të sulmuar Kinën dhe po ndihmon imperializmin amerikan që të shuajë flakët e revolucionit të popullit vietnamez.

Temë mbetet “Revizionizmi”

Vizita e kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu, të cilit iu rezervua një nga pritjet më të përgatitura dhe me një pjesëmarrje masive të popullit në rrugë, e shndërroi “luftën kundër revizionizmit sovjetik” një temë kryesore të festimeve të ditës së punëtorëve të këtij viti, - njofton nga Pekini korrespondenti i agjencisë së lajmeve “Reuters”, Vergil Berger. Shqipëria është i vetmi aleat evropian i Kinës. Çu ishte udhëheqësi i parë kinez, i cili përmendi për herë të parë publikisht Kongresin e 23-të të Partisë Komuniste Sovjetike, që u bojkotua nga Pekini. Shqipëria e bojkotoi gjithashtu këtë kongres. Ai akuzoi se udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik “i kishin shmangur të gjitha problemet kryesore dhe ishin përpjekur me të gjitha mundësitë që të mbulonin të gjitha mosmarrëveshjet e ashpra, sikur këto ngjarje të rëndësishme nuk kishin ndodhur kurrë dhe mosmarrëveshjet nuk ekzistonin brenda dhe jashtë Bashkimit Sovjetik... “Problemet nuk mund të shmangen dhe mosmarrëveshjet nuk mund të mbulohen”, - tha Çu En Lai gjatë fjalimit të tij. Ai shtoi se udhëheqja sovjetike ishte “ulur sipër një vullkani”. Ndërkaq, Mehmet Shehu mbajti një fjalim të tejzgjatur ku rikonfirmoi armiqësinë shqiptare për më shumë se një orë kundër Moskës dhe në mbështetje të plotë ndaj politikave kineze dhe linjës së tyre ideologjike. Kryeministri Çu En Lai ishte larguar me avion në mënyrë demonstrative në drejtim të Pekinit gjatë punimeve të Kongresit të 22-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Çu En Lai, i cili iu kundërvu udhëheqjes sovjetike për rinisjen publikisht të grindjes me Shqipërinë prokineze, u përcoll në aeroport nga Sekretari i Parë i Partisë Komuniste Sovjetike, Nikita S. Hrushov dhe shefat e tjerë të Kremlinit. Udhëheqësi kinez tha përpara kongresit se debatet mes partive komuniste duhet të zgjidheshin personalisht, por liderët që folën në kongres vazhduan ta kritikonin Shqipërinë edhe pas “këshillës” së Çu En Lait.

100.000 njerëz ndjekin tubimin

Më shumë se 100 mijë njerëz që thërrisnin slogane dhe tundnin flamuj dhe banderola u mblodhën për të dëgjuar fjalimet e Çusë dhe Shehut. Udhëheqësit kinezë, me përjashtim të Sekretarit të Parë të Partisë, Mao Ce Dun, iu bashkuan të ftuarve shqiptarë në tribunën qendrore të stadiumit gjigant të kryeqytetit kinez. Në kryeqytetet perëndimore ka pasur zëra se Kryetari Mao Ce Dun është shumë i sëmurë. Ai nuk është parë të shfaqet në publik për pesë muaj me radhë. Përveç sulmeve të ashpra ndaj Rusisë, Çu përsëriti dhe akuzat kineze ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës se “po përgatitej të përhapte flakët e luftës së saj të agresionit në të gjithë Indokinën dhe Kinë” dhe paralajmëroi se vuajtjet nga humbjet shkatërrimtare të amerikanëve në Luftën e Vietnamit ishin shtuar. Në një tjetër rrethanë, gazeta e Pekinit “Ta Kung” u kërkonte amerikanëve të largoheshin nga baza e Okinavës, e cila, thuhej në shkrim, ishte shndërruar në bazën më të madhe bërthamore të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Largët. Gazeta vazhdoi më tej me akuzat ndaj qeverisë japoneze se nuk po bënte asgjë për të shpëtuar njerëzit e Okinavës nga “nënshtrimi mizor kolonial”.

9 ditë më pas

Ngjarja më e rëndësishme gjatë takimit të sotëm të Mao Ce Dunit me delegacionin shqiptar në Pekin ishte mosshfaqja e vazhdueshme e Peng Çenit, kryetarit të Bashkisë së Pekinit dhe anëtar me të drejta të plota i Byrosë Politike, por i cili është gjithashtu edhe Sekretar i Partisë. Ashtu siç ishte zëvendësi i Ten Hsiao Pinit në bisedimet ideologjike në Moskë në vitin 1963, Peng është një ekspert i debatit kino-sovjetik dhe rrjedhimisht do të ishte normale të pritej që të paktën të ishte pjesë e pritjes së delegacionit të Mehmet Shehut. Ndërsa ndër të pranishmit ishin Mao Ce Duni, Çu En Lai, Lin Biao, Ten Hsiao Pin, Vu Hsiu Çuan, anëtar i Komitetit Qendror, Vang Pingnan, ish-ministër i Jashtëm dhe Hsu Çien Kuo, ambasadori kinez në Shqipëri. Ka shumë mundësi që Peng Çeni të mos jetë mirë me shëndet apo të jetë duke u larguar nga detyra, dhe, me sa duket, ishte e pamundur që ai të ndodhej në pritjen e delegacionit shumë të rëndësishëm shqiptar që vizitonte Pekinin. Shfaqja e tij e fundit ka qenë më 25 mars, kur agjencia kineze e lajmeve “Hsinhua” tha se ai ishte i pranishëm në djegien e trupit të Ai Szuchit, zëvendëspresidentit të Shkollës së Partisë të Komitetit Qendror. Që prej vitit 1964, Shkolla e Lartë e Partisë është sulmuar për shkak të gjoja pikëpamjeve “revizioniste” të drejtorit të saj, Jang Hsien Çen, dhe nuk është e pamundur që Peng Çeni mund të dyshohet se i është ngarkuar një pjesë faji. Nëse nuk është kjo arsyeja, atëherë është shumë e vështirë të provosh arsyen e vërtetë të mungesës së fundit të Peng Çenit, përveç teorisë së sëmundjes, e cila mund të përdoret gjithashtu për të shpjeguar mosshfaqjen që prej 28 shkurtit deri më sot të vetë Mao Ce Dunit.
Ky lajm është publikuar: 29/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›