Superliga Edi Martini, trajneri i ri Vllaznisë
Autori i Lajmit: Redaksia
Shkodër - Edi Martini është trajneri i ri i Vllaznisë, duke pasuar në këtë detyrë Roland Luçin, ky i fundit u shkarkua pas barazimit 2-2 me Flamurtarin në javën e 17-të, e fundit për këtë vit futbollistik. Në garë për vendin e trajnerit ishte dhe vlonjati Eqerem Memushi, ndërkohë që nga media u përfolën edhe emrat e ish-trajnerit të Apolonisë, Esad Karishik dhe ish-trajnerit të Kombëtares e Vllaznisë, Astrit Hafizi. Edi Martini, 34 vjeç, ka një karrierë relativisht të re si trajner. Bashkë me të, një tjetër emër i njohur i futbollit shkodran dhe atij shqiptar, pikërisht Ramazan Rragami, do të jetë pranë skuadrës. Roli i tij do jetë ai i këshilltarit teknik. Eksperienca e Martinit nis me Luftëtarin, kur skuadra gjirokastrite bënte pjesë në Superligë në sezonin 2006-2007. Martini drejtoi sezonin e kaluar, duke arritur ta shpallë skuadrën kurbinase kampione të Kategorisë së Parë, madje shkodrani kreu edhe një pjesë të mirë të fazës përgatitore të Laçit, përpara se të zëvendësohej nga presidenti Pashk Laskaj nga durrsaku Stavri Nica. Në karrierën si trajner të Edi Martinit është edhe Kombëtarja shqiptare e Minifutbollit. Në sezonin aktual të kampionatit të 7-të të Futbollit në Sallë, Martini luante me ekipin e minifutbollit të Vllaznisë, madje duke qenë golashënues i rregullt. Së fundi, Martini ishte punësuar nga presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj në rolin e drejtorit teknik, ndërsa nga shumëkush ai konsiderohej një trajner “hije” i të shkarkuarit Roland Luçi. Edi Martini, gjatë karrierës së tij si futbollist, përveç Vllaznisë ka luajtur edhe Luftëtarin e Gjirokastrës, Besëlidhjen e Lezhës dhe Apoloninë e Fierit, duke fituar edhe “këpucën e artë” me 14 gola në sezonin 1993-1994 me fanellën e Vllaznisë. Martini ka luajtur edhe jashtë Shqipërisë, në Slloveni (Svoboda), Austri (Klagenfurt) dhe Gjermani (Entraht Frankfurt). Edi Martini është trajneri i 19-të sezonal që ulet në bankinën e 12 skuadrave të Superligës, ku vetëm gjashtë prej tyre nuk i kanë ndryshuar trajnerët, përkatësisht Shkëlqim Muça te Dinamo, Shpëtim Duro (Besa), Mirel Josa (Teuta), Gerti Haxhiu (Skënderbeu), Ramadan Ndreu (Kastrioti) dhe Stavri Nica (Laçi). Vllaznia, ashtu si edhe Shkumbini, do të drejtohet nga trajneri i tretë sezonal në harkun e 18-javëve. Deri tani 6 klube kanë ndryshuar të paktën një herë trajnerin: Vllaznia (3 herë: Lika, Luçi, Martini); Shkumbini (3 herë: Magani, Mile, Daiu); Flamurtari (2: Memushi, Magani); Gramozi (2: Qirjako, Canaj), Tirana (Lonçareviç, Tafaj) dhe Apolonia (Karishik, Lika). Debutimi i Edi Martinit në krye të stolit shkodran do të nisë me sfidën kundër Shkumbinit në Peqin. Në fazën e parë, Vllaznia fitoi 2-0, me dy gola të realizuar nga sulmuesi i talentuar 18-vjeçar, Bekim Bala (48 dhe 63), e që përkoi edhe me fitoren e dytë sezonale të shkodranëve dhe të parën për ish-trajnerin Roland Luçi. Vllaznia ka bërë një pjesë të parë të sezonit aspak dinjitoze për emrin e 9-herë kampionëve të Shqipërisë (19 pikë në 17 javë, vendi i 9-të) dhe pritet të hyjë fuqishëm në merkato në të gjitha repartet, pasi priten edhe largime (Alikaj, Rustemi, Elvin Beqiri dhe Ardit Beqiri). Vllaznia në 17 javët e para të sezonit aktual ka pasur në drejtim dy trajnerë: Hasan Likën (5 ndeshje, 1F, 1 B, 3 H, 4 pikë) dhe Roland Luçin (12 ndeshje 4 fitore, 3 barazim dhe 5 humbje, 15 pikë).
Fushaj
Presidenti Fushaj, duke folur para gazetarëve ka thënë: “Siç e shikoni jam para jush për të bërë prezantimin e trajnerit te ri të Vllaznisë. Mendoj se kemi bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme dhe prandaj kemi besim se Martini do ti japë skuadrës atë çfarë asaj i mungon. Kemi ndërruar dy trajnerë gjatë këtij sezoni dhe me Martinin shpresoj që të jetë “e treta e vërteta”. Njëkohësisht dua të prezantoj edhe mjeshtrin e madh Ramazan Rragami që do të ketë rolin e këshilltarit teknik dhe mendoj se do jetë një plus i madh për Vllazninë me këshillat e tij shumë të dobishme. Unë i falënderoj të dy këto figura të njohura, si Rragamin ashtu edhe Martinin që shprehën gatishmërinë e tyre për ta ndihmuar skuadrën tonë në këto momente aspak të lehta për të”. I pyetur më pas se cilët do të jenë pjesëtarët e tjerë të stafit dhe kush do ti caktojë ata, numri 1 i klubit shkodran ka shtuar: “Herët e tjera na ka ndodhur që kur janë ndërruar trajnerët, nuk kemi pasur nevojë për zëvendësime edhe në staf nga që ata kanë qenë prezentë. Këtë herë, meqë edhe dy zëvendëstrajnerët janë shkarkuar, do të jetë në dorën e trajnerit Martini për ti propozuar dhe pasi të marrin edhe miratimin e klubit, do të fillojnë nga puna. Pra, plotësimi i stafit mendoj se do të përfundojë shumë shpejt”.
“Kënaqësi të drejtoj ekipin tim”
Për çdo trajner është kënaqësi të drejtojë Vllazninë dhe kuptohet edhe për mua është kështu. Ndoshta, diçka më tepër ngaqë kjo skuadër më dha emër megjithatë unë falënderoj presidentin Fushaj për besimin që më dha po ashtu edhe pjesëtarët e tjerë të klubit që dhanë mbështetjen për mua. E kam të qartë se gjërat nuk janë aty ku duhet, por mund tia dalim. Kam besim për këtë dhe kur ke besim, edhe rezultatet do të vijnë”,- ka thënë në prezantimin e tij të parë si trajner i Vllaznisë, Edi Martini.
Ky lajm është publikuar: 29/12/2009