Meta: “Marrëdhëniet tona me Serbinë ndihmojnë edhe Kosovën”
Autori i Lajmit: Redaksia
Kosova mbetet prioriteti ynë derisa ajo të zërë vendin që i takon në OKB. Kështu ka deklaruar dje ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në përgjigje të komenteve të bëra për ndihmën që Shqipëria i ka dhënë komunës së Graçanicës në Kosovë. Sipas tij, ndihma për këtë komunë është njëkohësisht ndihmë edhe për Kosovën. Ai këmbënguli se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë janë në kuadër të integrimit evropian. Meta ka theksuar më tej se Shqipëria do të vazhdojë bashkëpunimin e saj me çdo vend ku ka komunitet shqiptar. Në këtë kuadër ai theksoi dhe rëndësinë që kanë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Kreu i diplomacisë shqiptare ka komentuar më tej dhe situatën politike në vend, ndërsa ka ftuar opozitën për dialog. Por Meta theksoi se dialogu kërkon dy palë.
Deklarata
“Çështja e pavarësisë së Kosovës ka qenë dhe do të mbetet një prioritet i Qeverisë shqiptare, derisa Kosova të ulet në vendin që i takon në OKB. Dhe për këtë ka një politikë të qartë dhe ka një vijimësi të padiskutueshme”, - pohoi dje Meta, duke komentuar deklaratat e ditëve të fundit, sipas të cilave marrëdhëniet Shqipëri-Serbi kanë ndikimin e tyre tek njohja e Kosovës. Meta ka shtuar se Shqipëria nuk ka prioritet raportet me Serbinë, politika e saj është politika e bashkëpunimit rajonal si parakusht për integrimin evropian. “Pa asnjë diskutim që ne jemi në një marrëdhënie shumë konstruktive me të gjithë përfaqësuesit e pakicave shqiptare, kudo që ata janë, në Mal të Zi apo në Preshevë dhe kudo tjetër. Por nuk besoj se ajo çka Qeveria shqiptare ka bërë dhe e theksoj se është tepër kuptimplotë, është vlerësuar e është përshëndetur nga i gjithë opinioni që kupton se koha e paragjykimeve dhe e konflikteve ka kaluar në Ballkan. Kjo është arsyeja përse Ballkani është pas pjesës tjetër të kontinentit. Ju e dini shumë mirë që politika e Kosovës është për të mbështetur dhe për të mirëpritur komunitetin serb për tu integruar në institucionet e Kosovës, dhe për të marrë pjesë në mënyrë aktive në gjithë jetën institucionale, ekonomike dhe shoqërore”, - tha ai. Meta ka komentuar dhe deklaratat kritikuese të liderit të UDSH në Malin e Zi, Dinosha, se Shqipëria nuk po bën sa duhet për pakicat në atë vend. “Ata kanë pasur dhe do të kenë mbështetjen e Shqipërisë, ashtu sikurse ne u kemi kërkuar edhe të realizojnë një bashkëpunim më të mirë brenda vetes së tyre në mënyrë që të paraqesin në mënyrë sa më të besueshme kërkesat e tyre për një integrim edhe më të denjë të tyre sipas standardeve evropiane”, - tha ai. Meta pohoi më tej se mbështetja që Shqipëria dhe Qeveria e saj kanë dhënë për këtë komunitet dhe për komunën e Graçanicës, është në mbështetje të forcimit të institucioneve të Kosovës, është mbështetje për realizimin e atyre standardeve që afrojnë Kosovën me Bashkimin Evropian, dhe kjo është në interes të të gjithë Kosovës. Lidhur me marrëdhëniet politike në Shqipëri ai ka pohuar se Qeveria vazhdon të jetë e hapur për të mbështetur çdo kërkesë legjitime, çdo kërkesë demokratike, çdo kërkesë kushtetuese. “Jemi të hapur për të ofruar mbështetjen tonë në funksion të forcimit të shtetit ligjor, që do ti shërbejë përshpejtimit të integrimit evropian të vendit dhe absolutisht një debati konstruktiv dhe favorizues për integrimin e vendit. Dialogu kërkon të paktën dy palë. Dhe në këtë drejtim ju e dini që Qeveria dhe mazhoranca janë të palëkundura për të ecur përpara në rrugën e dialogut”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 29/12/2009