E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: “Verifikimi i tapive, përparësi zonat turistike”

Autori i Lajmit: Suela Topi

Komisioni Qeveritar për Tokën u ka marrë zaptuesve 1 milion e 321 mijë metra katrorë tokë. Kështu ka pohuar dje kreu i këtij Komisioni njëkohësisht ministër i Shtetit, Genc Pollo. Gjatë mbledhjes së fundit për vitin 2009 ai pohoi se është bërë verifikimi i titujve të pronësisë duke ia marrë atë zaptuesve dhe kjo për shkak të zyrtarëve abuzivë. Pollo tha se ashtu siç edhe synohej ky proces po vazhdon të japë frytet e tij pozitive. Në bazë të ligjit 9948 datë 7. 7. 2008 për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore janë krijuar komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë, pranë çdo prefekture. Që nga miratimi i këtij ligji deri në nëntor 2009 komisionet kanë shqyrtuar 693 vendime, nga të cilat ka rezultuar një sipërfaqe toke bujqësore për shfuqizim prej 1.320.763 m2. Por ky ligj ka pasur dhe kundërshtime nga avokati i Popullit i cili e ka çuar atë dhe në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, ligji binte në kundërshtim me 6 nene të Kushtetutës.
Deklarata
“Sot do të zhvillojmë mbledhjen e fundit për këtë vit, të Komisionit Qeveritar të Tokës dhe deri në fund të nëntorit të këtij viti, u janë marrë zaptuesve 1 milion e 321 mijë metra katrorë tokë, tokë e marrë në mënyrë të kundërligjshme nga zyrtarë abuzivë, por edhe nga privatë të panginjshëm”, - tha dje Pollo. Sipas tij, përparësi në këtë proces verifikimi kanë abuzimet në brezat turistike ku janë identifikuar jo pak sipërfaqe të marra në mënyrë të kundërligjshme. “Ky është një proces që po vazhdon, po jep frytet e veta dhe pas konfirmimit në gjykatë, të tëra këtyre vendimeve që kanë marrë komisionet përkatëse pranë prefekturave, ky fond toke i kthehet pronësisë së shtetit, për tu përdorur për qëllime publike, në radhë të parë për kompensimin e pronarëve. Është një proces që po vazhdon, një proces që po jep fryte e veta, ligji parashikon një periudhë trevjeçare për të realizuar verifikimin e të gjithë titujve të pronësisë”, - pohoi dje ministri i Shtetit. Në bazë të ligjit 9948 datë 7. 7. 2008 për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore janë krijuar komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë, pranë çdo prefekture. Që nga miratimi i këtij ligji deri në nëntor 2009 komisionet kanë shqyrtuar 693 vendime, nga të cilat ka rezultuar një sipërfaqe toke bujqësore për shfuqizim prej 1.320.763 m2. Janë marrë gjithashtu 92 vendime për shfuqizim të plotë të akteve dhe 89 vendime për shfuqizim të pjesshëm, si dhe vendime të tjera. Sipas ligjit, kjo sipërfaqe pas konfirmimit nga gjykata kalojnë në pronësi të shtetit. Pak kohë më parë Qeveria mori vendim për shtyrjen e afateve të përcaktuara në ligjin e “Verifikimit të titujve të pronësisë”. Ngecja e procesit të verifikimit të titujve të pronësisë ka detyruar Qeverinë tu japë edhe gjashtë muaj kohë bashkive dhe komunave për të realizuar procesin e verifikimit të tokave bujqësore në përdorim nga fermerët. Në vendimin e marrë nga qeveria sanksionohet se “pas nenit 18 të ligjit “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, pas nenit 18 shtohet neni 18/1 “afati i përcaktuar në pikën 6, të nenit 8, shtyhet edhe 6 muaj nga data e hyrjes në fuqi e këtij neni”; Nenin se vlefshmëria e verifikimit të titujve të pronësisë është një proces që zgjat tre vjet, nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Ligji ka hyrë në fuqi më 31 korrik të vitit 2008, ndërsa shtyhet zbatimi edhe gjashtë muaj pas 2011, deri në 2012.

Ligji për titujt e pronësisë

Neni 8, pika 6
Komisioni Vendor urdhëron kryetarët e komunave dhe të bashkive të plotësojnë aktet e marrjes së tokës në pronësi, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore në rastet kur:
a) Kur komisioni i tokës së fshatit nuk ka plotësuar dokumentin ligjor të ndarjes së tokës;
b) Familjet bujqësore ose individët, që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë tokën bujqësore dhe që janë subjekte ligjore të trajtimit me tokë në pronësi, sipas nenit 3 të këtij ligji, por që nuk janë pajisur me dokumente pronësie dhe që për këtë sipërfaqe nuk janë lëshuar akte të marrjes në pronësi të tokës për persona të tjerë;
Dokumenti i plotësuar dorëzohet në KV dhe pas verifikimit kalohet në SAMT-it të qarkut.
Për çdo rast të mospranimit të marrjes së këtij dokumentacioni nga familjet bujqësore apo nga individët mbahet në procesverbal për refuzim toke.
Familjet bujqësore që refuzojnë marrjen e tokës në pronësi sipas këtij ligji dhe që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë atë, u nënshtrohen sanksioneve të parashikuar në kreun III të këtij ligji.
Ky lajm është publikuar: 29/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›