Irlanda do të mbështesë Kosovën në integrime europiane

Ministrja Lucinda Creighton me këtë rast tha se vizita e saj është si në kapacitetin e përkrahjes dhe të rritjes së kontakteve bilaterale ndërmjet dy shteteve, ashtu edhe si parapërgatitje për Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian që do ta marrë Irlanda nga viti i ardhshëm, si dhe kryesimi irlandez i OSBE-së.
Ministrja Creighton përshëndeti progresin e arritur në Kosovë dhe inkurajoi Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës të vazhdojë të punojë drejt thellimit të dialogut me fqinjët. Sipas saj, suksesi i Kosovës drejt anëtarësimit është drejtpërdrejt i ndërlidhur me suksesin e Kosovës në përmbushjen e Kritereve të Kopenhagës, ku hyn edhe dialogu dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore.
Zëvendësministri Selimi falënderoi për përkrahjen që ka dhënë Irlanda, si në procesin e pavarësimit, gjithashtu, edhe në atë të integrimeve evropiane. Ai paraqiti në pika të shkurtra peizazhin aktual politik, ekonomik dhe diplomatik të Republikës së Kosovës. Në një bisedë të ngrohtë dhe miqësore, Zëvendësministri Selimi falënderoi për kontakte të vazhdueshme me Ministren Creighton, që nga vizita e tij e mëhershme zyrtare në Dublin.
Të dy palët u pajtuan të vazhdojnë bashkëpunimin biletaral, duke u fokusuar në fushën ekonomike dhe në atë të arsimit.
Ministrja Creighton premtoi se Irlanda do të mbetet mbështetëse e madhe e Republikës së Kosovës në OSBE, Bashkimin Europian dhe në organizata të tjera multilaterale.
Në takim mori pjesë edhe Zëvendësministri i Integrimeve Europiane Gëzim Kasapolli, i cili tutje dha shpjegime më të detajuara për proceset e liberalizimit të vizave dhe Studimit të Fizibilitetit.