VV: Nuk jemi prej qejfit në politikë

Këto konkluzione kanë dal në takimin e organizuar me maturantët nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë me panelist Albin Kurtin, Fisnik Ismjalin dhe Hatixhe Hoxhën.
Albin Kurti, ka thënë se në çdo vend të botës, ndryshimet e mëdha i ka bërë rinia dhe këto ndryshime të mëdha janë vulosur nëpër institucione, janë konfirmuar nëpër institucione.
Mirëpo, sipas tij, këto ndryshime nuk kanë nisur nëpër institucione dhe nuk janë realizuar në institucione, pasi që ndryshimet e mëdha në çdo popull në çdo cep të botës nuk kanë qenë institucionale, por shoqërore, politike, ekonomike e kulturore, pra janë ndryshime që nisin prej poshtë.
Më tej, ai ka sqaruar se pse fillojnë ndryshimet nga poshtë, pasi ndryshimet nuk nisen prej lartë, sepse ata lartë janë të kënaqur janë njerëz që u konvenon kjo situatë.
“Pra gjendja në të cilën është sot Kosova është duke ju falënderuar disa interesave që po përmbushen në këtë gjendje të vështirë. Pra janë disa njerëz të cilët po përfitojnë, kanë leverdi prej gjendjes së rëndë në Kosovë dhe ata janë forca që e mbajnë këtë situatë”, ka thënë Kurti.
Lideri i kësaj lëvizje, u ka thënë maturantëve se Lëvizja Vetëvendosje nuk është prej qejfit në politikë, por zori e ka futur atë në të.
“Ne të Lëvizjes Vetëvendosje nuk jemi prej qejfit në politikë. Na jemi prej zorit, sepse qejfet tona janë ndryshe. Nuk janë këto politike me të cilën po duhet me u marr. Amo e kemi kuptuar një gjë, nëse në jetën tënde nuk merresh hiq me politikë, politika çdo ditë merret me jetën tënde. Prandaj patjetër që merresh me politikë, vetëm se çështja është a merresh pasivisht a aktivisht. E Lëvizja Vetëvendosje thotë se me qenë se merresh me politik aktivisht, sepse edhe kur ne nuk merremi me të ajo merret me neve më mirë të jemi aktiv se sa pasiv”, ka theksuar Kurti.
Për më tepër, ai ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje është prej zorit në politikë e dëshmon fakti që është subjekti i vetëm ku njerëzit e saj nuk janë pasuruar pse janë marr me politikë.
Ai u ka thënë maturantëve që të mos bëjnë kompromise me talentin dhe pasionin e tyre.
Gjithashtu, ai u ka thënë se të rinjtë duhet të lexojnë më shumë, ndërsa ka shtuar se leximi në ekran dhe leximi në letër janë dy lloje të ndryshme, që, sipas tij, duhet të lexohet më shumë në letër.
Duke folur për sistemin që është në Kosovë, Kurti ka thënë se ky sistem nuk u gjen punë të rinjve kur i mbushin 18 vjet, por u thotë tash jeni tëirritur dhe jeni të papunë.
“Ju i bëni ka 18 vjet dhe a e din çka ju thotë sistemi juve?! Urime ditëlindjen, tash je i papunë se derisa nuk i ki 18 vjet konsiderohesh si i mitur nuk je i moshës madhore rrjedhimisht je i papunë por nuk llogaritësh i tillë, ndërsa tash ta uron ditëlindjen duke ta qit vulën e njeriut të papunësuar. Kështu pra, sistemi i jonë ja dëshiron të riut mirëseardhjen në shoqëri, në shoqërinë në thonjëza të mëdhenjve”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkohë aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismajli ka kërkuar nga të rinjtë që të ngritin zërin kur u bëhet e padrejtë.
“Duhet me ngrit zërin nëse qato të drejta ju shkelën. Për momentin në Kosovë qoftë si student, qoftë si qytetarë juve të drejtat ju shkelën në çdo moment kah të silleni një e padrejtë po ju bëhet”, ka thënë Ismajli.
Ndërkaq profesoresha, Hatixhe Hoxha ka thënë se viti shkollor në Komunën e Prishtinës ka filluar ndërsa problemet e vjetra vazhdojnë në arsim.
“Ne e dimë se çështja e arsimit në komunën e Prishtinës nuk është më së miri. Shohim se viti shkollor ka filluar edhe në shkollat fillore dhe të mesme ndërsa problemet e vjetra vazhdojnë të na shqetësojnë të ju preokupojnë juve direkt, por edhe neve si mësimdhënës ose si prindër”, ka theksuar Hoxha.
Lëvizja Vetëvendosje ka nxjerrë programin qeverisës për arsimin, por është duke punuar që të nxjerr edhe programin komunal për arsim. /kosovapress/