Irlanda kërkesë FIFA-s: Ne, skuadra e 33-të në Botëror
IRLANDE- Irlanda nuk ka hequr dorë nga vajtja në kampionatin botëror dhe për këtë i ka bërë një letër zyrtare FIFA-s, ku kërkon të jetë skuadra e 33-të. Një fakt i tillë është pohuar nga vetë presidenti Sep Blater që nga Johanesburgu i Afrikës së Jugut. Kreu i futbollit botëror ishte në një seancë dëgjimore përballë qindra delegatëve, në prag të hedhjes së shortit për fazën në grupe të Kupës së Botës. “Irlandezët e kuptuan se ndeshja nuk mund të përsëritet, pasi për disa kohë kanë qenë anëtarë në bordin drejtues të FIFA-s, - deklaroi Blater. - Rregullat e futbollit janë 124 vjeçare dhe vendimi i arbitrit është gjithnjë ai që vendos. Irlanda nuk ka ka kërkuar as dënimin e Henrisë dhe as atë të arbitrit, por na ka kërkuar që të jetë skuadra e 33-të e Botërorit. Do të ketë një mbledhje për këtë”, konfirmoi Blater. Gjithsesi, duket shumë e vështirë që FIFA, kjo edhe për arsye formati, të shtojë numrin e skuadrave pjesëmarrëse. Blater ka kërkuar gjithashtu që futbollistët të tregojnë pak më shumë respekt për rregullat në finalet e Kupës së Botës, ndërsa pranoi se sistemi aktual i kualifikimeve ka shumë gabime dhe si i tillë do të rishihet për Botërorin e ardhshëm. “Pas asaj çfarë ndodhi në Francë-Irlandë të gjithë pyesin nëse futbolli ka “fair play” apo jo. Më duhet të them se ka pak respekt nga futbollistët për lojën dhe ndershmërinë, pasi të gjithë kërkojnë të mashtrojnë me të gjitha mënyrat”, tha presidenti i FIFA-s. Në konferencën disa orëshe ai u shpreh se Afrika e meritonte të organizonte një kampionat botëror. “Një nga këngëtarët më të mëdhenj në botë, Bono i U2 më tha se kjo që po bëj për Afrikën është drejtësi. Ne i besojmë Afrikës dhe besoj se do të jetë një Botëror i shkëlqyer”, tha kreu i FIFA-s. Blater deklaroi gjithashtu se nuk do të kërkojë ndalimin e pipëzave dhe trumpetave që përdorin tifozët afrikanë gjatë ndeshjeve dhe që krijojnë një zhurmë të bezdisshme. Më tej, ai shprehu sërish qëndrimin e tij kundër përdorimit të teknologjisë në futboll, ndërsa u shpreh se që në Botërorin e ardhshëm mund të dyfishohen arbitrat anësorë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)