Juventusi në krizë totale, Ferrara tani është në rrezik
TORINO-Atmosferë krize në shtëpinë e Juventusit, që të dielën pësoi humbjen e tretë për këtë sezon në kampionat. Bardhezinjtë u mundën 2-0 nga Kaljari, një disfatë e rëndë përpara sfidës direkte të së shtunës kundër Interit. Dy ndeshjet e radhës, ndaj zikaltërve dhe Bajernit të Mynihut duket se do të përcaktojnë edhe të ardhmen e Çiro Ferrarës në stolin bardhezi. Tekniku nuk duket në lartësinë e duhur, duke qenë se Juve po zhvillon një sezon me oshilacione të shumta dhe për më tepër, luan shumë keq. Në krahun tjetër Interi është i frikshëm dhe një humbje të shtunën do të bëjë që Juventusi t’i thotë lamtumirë titullit, duke qenë se diferenca me zikaltërit do të shkonte 11 pikë. Tashmë Juve ndodhet në vend të tretë në Serinë A, duke u kaluar edhe nga Milani. Ndërkaq, në kuadër të ndeshjes me Interin të gjithë në Itali janë duke i kushtuar vëmendje sjelljeve të spektatorëve, pas koreve raciste ndaj Balotelit sezonin e shkuar. Presidenti i Interit Masimo Morati ka deklaruar se do të tërheqë skuadrën nga fusha nëse ndodh sërish një gjë e tillë, ndërsa ai i Federatës Italiane Xhankarlo Abete ka bërë të qartë se zyrtarët do të jenë shumë të vëmendshëm ndaj asaj që ndodh në fushë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)