Hleb, interesim nga të gjitha klubet evropiane
Mesfushori i Arsenalit, Aleksander Hleb, është bërë objektiv i merkatos së disa prej skuadrave më të njohura në Evropë si Inter, Juventus, Real Madrid apo Barcelona. Futbollisti bjellorus ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer me "topçinjtë", duke gjetur tashmë shumë admirues, të cilët janë të gatshëm të shpenzojnë shuma të mëdha për të siguruar shërbimet e tij. Mendohej se Hleb ishte gati të shkonte tek Interi, pasi kishte pranuar parimisht ofertën që i kishin bërë zikaltërit. Por menaxheri i lojtarit, Nikolai Shpilevski, ka treguar se në garë për futbollistin nuk është vetëm Interi. "Mua më kanë kontaktuar shpesh për Hleb. Nuk kam se çfarë të fsheh, pasi ai është kthyer në një lojtar të jashtëzakonshëm. Reali i Madridit, Barcelona dhe Juventusi janë të interesuara për ta blerë nga Arsenali, por nuk kanë bërë ende një ofertë konkrete", u shpreh ai. Sipas mediave angleze, mesfushori do të largohet këtë sezon nga "topçinjtë", pasi kjo skuadër nuk është në gjendje të luftojë për trofe. Interi është skuadra e vetme që ka bërë një ofertë prej 12 milionë sterlinash, por mbetet për t‘u parë se sa do të ofrojnë skuadrat e tjera që interesohen për futbollistin bjellorus.