Ironia edhe në “shtëpinë” e Zotit
Lajm i keq që vjen për kulturën nga zonat e përmbytura të Shkodrës është se dy objektet e famshme të kultit; kisha e Shirgjit dhe xhamia e Plumbit janë edhe ato nën ujë. Për ironi të fatit, duket sikur Zoti nuk kursen as shtëpinë e tij, kur besimtarët kanë kohë të ikur nga kjo anë. Këto dy objekte të besimit prej vitesh janë shndërruar në turizëm fetar, të ngritura para se njerëzit të imagjinonin përmbytjet prej Bunës, apo derdhjet më të egra të Drinit. Ndërsa lajmi i mirë është se Drejtoria e Trashëgimisë Kombëtare në MTKRS, përmes institucioneve të saj të varësisë po ndjek prej ditësh situatën e krijuar në zonën veriperëndimore të vendit për shkak të prurjeve të mëdha të ujërave.
Në Ministrinë e Kulturës çdo ditë zyra e shtypit ka informuar se çfarë po ndodh me dy objekte të shpallura monument kulture, të cilat ndodhen pjesërisht të përmbytura nga ujërat. Konkretisht në Xhaminë e Plumbit, pranë kalasë së Shkodrës, niveli i ujit momentalisht ka arritur rreth 1 m. Në të njëjtën gjendje bëhet e ditur se ndodhet edhe Kisha e Shirgjit në bregun e majtë të lumit Buna pranë fshatit Obot. Kjo kishë ndodhet pranë argjinaturës së Drinit, e cila nga prurjet e shumta e ka dëmtuar atë, duke u përhapur deri në shtëpitë e banuara. Dajçi cilësohet dhe si komuna me më shumë dëme materiale dhe persona të evakuuar si pasojë e rrezikut të përmbytjes.
“DTK është në kontakt të vazhdueshëm me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Shkodër, për monitorimin e vazhdueshëm të situatës”, - thotë zëdhënësja e shtypit, Irena Prici. Ndërsa nga Drejtoria e Trashëgimisë, pranë MTKRS-së, thuhet se ndërhyrjet restauruese mund të ndërmerren vetëm pasi gjendja të normalizohet.
Për këtë specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me specialistët e DRKK-së Shkodër do të përgatisin projektin restaurues, pasi të evidentojnë dëmtimet në vend. Ndërkohë nga Ministria e Kulturës bëhet e ditur se është ngritur një grup pune, për emergjencat që drejtohet nga Klodian Pajuni. Vetëm pasi të tërhiqet uji mendohet se do të ketë projekte konkrete si do të menaxhohet situata si në Kishën e Shirgjit, ashtu edhe në Xhaminë e Plumbit që ndodhen prej qindra vjetësh në zonat që janë përmbytur në Shkodër.
Por ndjeshmëri për këtë situatë kanë pasur edhe specialistë jashtë dyerve zyrtare, që merren me trashëgiminë, të cilët janë shprehur të shqetësuar për gjendjen ku ndodhen për ironi “shtëpitë” e Zotit. Një prej tyre, Vasil Tole, thotë për gazetën “standard” se “shqetësimi rritet kur mendon se vlerat materiale dhe monetare një ditë zëvendësohen, kurse dëmet që po shkaktohen në monumente të tilla të jashtëzakonshme si Kisha e Shirgjit ose Xhamia e Plumbit, janë të pallogaritshme. Duke bërë një apel tek të gjithë, për mbrojtjen e këtyre monumenteve, e në mënyrë të veçantë për strukturat shtetërore, është koha që për vlerat e trashëgimisë kulturore, ashtu si për pronat e qytetarëve të dëmtuar, të parashikohen fonde dhe plane afatgjata, për ruajtjen e tyre nga fatkeqësi të tilla, në mënyrë që të mos t’i humbim ato përgjithmonë”. Tole e quan pozitiv faktin e reagimit të menjëhershëm të ministrisë për situatën në këto dy objektet e kultit.
Këto ndër monumentet më të vjetra në Shqipëri, që për fat të keq gjithnjë kanë qenë të kërcënuara nga përmbytjet e vazhdueshme në Shkodër. Për Kishën e Shirgjit, pas përmbytjes së madhe në dimrin e vitit 2003, ka qenë këmbëngulja e At Zef Pllumit për të ngritur një bllok betoni në këmbët e Bunës, për të shpëtuar gjurmën e fundit në manastirin e dikurshëm. Nga gërryerja e lumit, para disa vitesh shihej një themel që vazhdonte nga perëndimi i murit jugor. Edhe një kolonë graniti që ruhet sot mund të ketë qenë e portikut, por lumi që ka gërryer tokën e ka rrëzuar, ka arritur të merret dhe të dërgohet në muzeun e Shkodrës. Ndonëse rrënojat e Shirgjit janë kthyer në turizëm fetar, prej 2001 nga të gjithë ministrat e Kulturës nuk është ndërmarrë nisma për të kryer gërmime arkeologjikë në rrënoja. Nëntoka e Shirgjit, ashtu si dhe vetë kisha, prej 10-15 vitesh qëndron e ndryrë, duke ruajtur gjurmët e manastirit, varrezave, doganës dhe portit lumor të dikurshëm. Marubi e fotografoi në vitin 1906 dhe në atë kohë kisha me gjithë mbishkrimet e saj ishte ende e lexueshme; nga rrënimi i ngadaltë siç shihet edhe në foton e publikuar ka mbetur vetëm mur i lartë. Ndonëse të dëmtuara, dallohen dy mbishkrimet e portës perëndimore, njëri tek arkitrau i rrafshët, e tjetri në shpatullën e majtë. Ky i fundit flet për ndërtimin e kishës në vitin 1290 nga mbretëresha Helena me dy djemtë e saj, Uroshin e Stefanin. Mbishkrimi tjetër flet për një rindërtim të kishës nga mbreti i serbëve, Stefani, në vitin 1318. Para disa viteve nga specialistët është hedhur ideja e zhvendosjes së tij, gjë që teknikisht është parë e papranueshme, pasi objekti do të shkatërrohej plotësisht.
Ndër veprat e shumta të ndërtuara në Shkodër nga trashëgimtarët e njëpasnjëshëm e sundimtarë të mëdhenj siç ishin Bushatllinjtë, është dhe Xhamia e Plumbit, e cila njeh si datë të lindjes së vet vitin 1773. Në dhjetor 1990, aty u mbajt rituali i parë i fesë islame pas periudhës së ndalimit të saj. Xhamia e Plumbit vazhdon të funksionojë si objekt kulti dhe sot, është ndërtuar në vitin 1773 nga Mehmet Pashë Bushatlliu, në atë kohë vezir i Shkodrës. Kubetë e saj u veshën të tëra me shtresa plumbi dhe gurët për ndërtimin e saj u sollën dorë më dorë nga populli. Xhamia është restauruar në 1863, në 1920 dhe në 1963. Në vitin 1967 një rrufe dëmtoi minaren e saj, e cila ishte ndërtuar me gurë të latuar, ndërsa shtresat e plumbit prej kohësh janë vjedhur. Kjo është nga të paktat xhami që nuk u shkatërrua nga regjimi komunist. Fati i këtyre dy objekteve të kultit duket se është ndjekur gjithnjë nga e njëjta histori e keqe, ajo e mbijetesës dhe përmbytjes nga shirat. Olsi Lafe, drejtor i Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë së Kulturës, thotë se pas tërheqjes së ujërave do mund të niset puna konkrete nga grupi i emergjencës, ngritur enkas për këtë situatë, ku gjendjes së rënduar të objekteve të kultit i shtohet dhe “plakja” e tyre si ndërtesa qindravjeçare. Në të kundërtën do duhet të mendojmë se kjo është ironi e Zotit me shtëpinë e tij!