E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulet prurja e lumenjve, Shkodra vazhdon ende nën ujë

Ulen prurjet në lumin Buna, përmirësohet situata në qytetin e Shkodrës, duke ulur rrezikun për përmbytje të qytetit. Megjithatë, ndonëse ka pasur përmirësime të dukshme, falë edhe ndërhyrjeve në lumin Buna, sipërfaqet e përmbytura kanë mbërritur në 11.400 ha, duke u shtuar një mijë hektarë nga dy ditë më parë. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Brendshme, sasia e tokave nën ujë ka shkuar në 11.400 hektarë në këtë qark. Vërehet se brenda në qytetin e Shkodrës është përmirësuar gjendja, ndërsa në lagjet periferike niveli i ujit është ulur krahasuar me ditët e mëparshme. Nga informacionet zyrtare, të përmbytura janë 2.649 shtëpi, ndërsa janë hequr nga banesat e tyre 5.148 persona. Por, situata është përkeqësuar në Komunën e Bushatit dhe në Komunën e Bërdicës. Ndërkohë që niveli i ujit është rritur edhe në fshatin Stërbeq, afër liqenit të Shkodrës. Në qytetin veriperëndimor, në lagjet “Xhabije”, “Tophanë”, “Ajasëm”, e “Kiras” niveli i uji është ulur në 30 cm. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e kohës pa reshje dhe prurjeve më të pakta nga lumenjtë. Por, nuk kanë qenë të vetmit faktorë në përmirësimin e situatës, pasi gjatë dy ditëve, nga ushtria dhe struktura të tjera mbështetëse ka pasur ndërhyrje në lumin Buna. Sipas informacioneve zyrtare të Ministrisë së Brendshme, komunat më të prekura vazhdojnë të mbeten Bushati, ku janë nën ujë 2.500 hektarë, Bërdica 2.100 hektarë, Dajçi e Velipoja nga 2.000 hektarë. Ndërkohë që ditën e djeshme, Komiteti Ndërministror i vendosur në qytetin veriperëndimor ka ndjekur në terren ecurinë e operacioneve për zhvendosjen e njerëzve, shpërndarjen e ndihmave dhe veprimet e tjera për normalizimin e situatës. Edhe gjatë ditës së djeshme, disa ministra të Komitetit Ndërministror kanë qenë duke inspektuar situatën në disa komuna, duke ndjekur procesin e evakuimeve apo shpërndarjes së ndihmave në këto komuna. Kështu, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, inspektoi kryerjen e operacioneve në Dajç dhe Velipojë; ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, ishte në Bushat për të parë nga afër zbatimin e detyrave të Emergjencave Civile, ndërsa ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, kreu një kontroll në Komunën Gur i Zi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›