Irritohen dëshmitarët e Bandës së Lushnjës
Mungesa e dy avokatëve në procesin gjyqësor ndaj anëtarëve të Bandës së Lushnjës ka irrituar dëshmitarët. Si rrallëherë, 12 dëshmitarë ishin paraqitur dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, duke mbajtur “radhën” për të dëshmuar. Në fillim të seancës gjyqësore, kreu i Kolegjit Penal, Gerd Hoxha, verifikoi palët dhe konstatoi mungesën e dy avokatëve mbrojtës. Më pas, fjalën e mori prokurori Gentian Trenova, i cili tha se seanca duhet të shtyhet dhe të pezullohen afatet e paraburgimit. Gjyqtari ftoi brenda sallës dëshmitarët, të cilët i njohën me letërnjoftimet. Pas apelit dhe pas kërkesës së gjykatës të paraqiteshin për dëshmi pas dy javësh, disa prej tyre kanë ngritur zërin, duke deklaruar se “nuk do të vijmë më, kemi punë”. Madje, njëri prej dëshmitarëve replikoi me kryetarin e seancës gjyqësore, duke i bërë me dije gjykatës se nuk kishte mundësi fizike të paraqitej, pasi sapo kishte kryer një operacion. Gjyqtari Gerd Hoxha i tha se duhet të paraqitej, pasi në të kundërt do të shoqërohej me forcë nga patrulla e policisë. Një tjetër dëshmitar tha se kostoja ekonomike e ardhjes për dëshmi në gjykatë është shumë e lartë. Dëshmitari në fjalë jetonte në shtetin maqedonas. Megjithatë, pas replikave të radhës, seanca u shty për t’u zhvilluar më 27 maj.
#