E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si e nxora në pritë Marsel Sotirin

Dëshmon në gjykatë dëshmitarja e drejtësisë Valbona Jaho: Anëtarët e bandës më kërcënuan se do më vrisnin familjen

Dëshmitarja e drejtësisë në procesin e bandave të Durrësit, Valbona Jaho, pranoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda se ka joshur dhe më pas e ka nxjerrë në pritë, ku dhe u vra, Marsel Sotirin, hasmin e Lul Berishës dhe Klodian Saliut. Për më shumë se pesë orë, vajza tha se ka qenë e dashura e Klodian Saliut (edhe ky i vrarë). Në verën e vitit 1998, i dashuri i saj, Klodiani, një nga krerët e bandave të Durrësit, i kërkoi Valbonës të krijonte miqësi me Marsel Sotirin. Saliu i serviri vajzës një fotografi të vogël për ta njohur dhe më pas joshur kundërshtarin e tij, duke e futur atë në një rrugë pa kthim.

Vajza ka dëshmuar për orë të tëra, duke treguar detaje nga njohja me Marsel Sotirin. Ajo është pyetur nga prokurorët e çështjes Anton Martini dhe Behar Dibra, ndërsa shpeshherë pyetje i drejtonte edhe kryetari i seancës, Gurali Brahimllari. Dëshmitarja që ka fituar statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë deklaroi fillimisht se “në verën e vitit 1998 kam qenë e dashura e Klodian Saliut. Klodi më ka kërkuar që të krijoj miqësi me shtetasin Marsel Sotirin. Nuk e njihja. Fillimisht nuk pranova. Pas kësaj Klodi më kërcënoi se do të më vriste nipin dhe familjen nëse nuk u bindesha urdhrave të tij. Pas disa kërcënimeve pranova nga frika se mos më eliminonin familjen. Klodi më udhëzoi sesi duhet të krijoja miqësi me Marsel Sotirin. Ai më tha se Marseli frekuentonte disa lokale në Durrës, pikërisht te lokali i ‘Gëzimit të Kashtës’ dhe te pista ‘Iliria’. Më vonë, Klodi u kujdes të më sistemonte në një banesë aty pranë, të cilën e mori me qira te një zonjë. U shpërngula atje dhe mora me vete familjen time, të cilët i gënjeva duke u thënë se do të bëjmë plazh”. Vajza tha se filloi të frekuentonte lokalet që i tha Klodian Saliu. “Ditën e parë, pas shikimeve të ndërsjella, Marseli më qeras me një pije. Pranova pa hezitim, duke ndjekur këshillat e Klodit. Ditën e dytë shkova sërish te pista ‘Iliria’ dhe gjej sërish Marselin të ulur në një nga tavolinat. Më fton në tavolinën e tij dhe unë pranova. Biseduam gjatë. Ditën e tretë sërish tek i njëjti vend dhe sërish u takova me Marselin, me të cilin, nga ana e tij, filloi një pëlqim karshi meje. Më kërkoi të dilnim herë pas here. Unë pranova. Pas takimeve shkoja dhe i jepja shpjegime Klodit për lëvizjen e Marselit dhe sesi sillej me mua. Klodi më instruktoi gjithçka për ta futur në pritë dhe shpeshherë më kërcënonte. Ditën e katërt të njohjes, Marseli, pas një dite të gjatë te lokali, më ofron një shëtitje dhe donte të më shoqëronte për në shtëpinë që ndodhej afër shinave të trenit, të cilën e kishte marrë me qira Klodian Saliu. Pranova dhe u nisa bashkë me Marselin. Shkuam në afërsi të shtëpisë ku banoja dhe me shpejtësi u largova. Pa shkuar as 100 metra larg automjetit dëgjova krisma. Shkëmbimi i zjarrit zgjati rreth pesë minuta. Personat që qëllonin kishin zënë pritë, ndërsa Marseli ndodhej në automjet. Mora vesh që u vra Marseli”.

Në fillim të seancës së djeshme gjyqësore dëshmoi Genta Jaho, motra e dëshmitares së drejtësisë Valbona Jaho. Genta tregoi disa detaje nga kërcënimet që i janë drejtuar familjes së saj nga anëtarët e bandave të Durrësit. Megjithatë, edhe seanca e djeshme gjyqësore nuk kaloi pa debate në lidhje me dëshminë e dy motrave. Për të njëjtën gjë janë përplasur disa herë me njëri-tjetrin edhe avokatët.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›