E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton marrëveshjen 9.2 milionë USD për programin Malet drejt Tregut

Në seancën e djeshme plenare, kuvendi me shumicë votash ka miratuar p/ligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor (IFAD), për financimin e programit Malet drejt tregut. Katër qarqe në Veri të Shqipërisë do të përfitojnë një asistencë financiare prej 9.2 milion dollarësh në kuadër të programit Malet drejt tregut.Marrëveshja e kredisë  prej 9.2 milion dollarësh ka si objektiv zbutjen e varfërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale malore. "Programi ka për qëllim përmirësimin e kushteve, zgjerimin dhe rritjen e aksesit drejt tregut të të gjitha zonave të pa favorizuara, zonave malore të vendit", thanë ekspertët. Programi do të zbatohet në katër qarqe malore veriore Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë, të cilët kanë nivelin më të lartë të varfërisë në vend. Kostoja e parashikuar e programit është 17.946 milion USD, e cila do të jetë një bashkëfinancim i IFAD, me një kredi prej rreth 9.2 milion USD dhe një grant prej rreth 400 mijë USD, dhe qeverisë shqiptare me një financim prej 2.489 milion USD si dhe vetë përfituesve me një financim prej 5.856 milion USD. Kuvendi gjatë seancës plenare të radhës miratoi gjithashtu edhe p/ligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Fondit Shqiptar për zhvillim (FSHZH) dhe KFË-së, Frankfurt Am Main, për financimin e projektit "Programi për furnizimin me ujë të zonave rurale (Faza 2)". Projekti do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe ka për objektiv sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm sasior dhe cilësor me ujë të pijshëm të popullsisë së disa qarqeve si Dibër, Kukës dhe Shkodër. Kredia e marrë është me terma të buta, me afat maturimi prej 30 vjet, interes 2% në vit, ndërsa për dhjetë vjet nuk do të paguhet principali. Kosto e parashikuar e projektit është 1.785 milionë euro, ku 1.5 milionë euro financohen nëpërmjet kësaj kredie dhe pjesa tjetër janë kontribut vendor prej 285 mijë euro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›