Pranga grabitësit me armë të të dashuruarve
OPERACIONI/ Policia e Vlorës ka arrestuar 20-vjeçarin Pospen Peçi, i cili akuzohet për vjedhje me armë
Një tjetër person është shpallur në kërkim, teksa bashkë me Peçin akuzohen për katër grabitje të kryera në dy vjet
VLORË - Kanë terrorizuar me armë disa çifte përgjatë dy viteve, duke i grabitur, por ndërkohë njëri prej tyre ka përfunduar në pranga. Dy vjet më parë maskat krijuan panik në zonën e "Plazhit të Vjetër", ndërsa të sulmuarit ishin çifte të fejuar apo të dashuruar.
Nën kërcënimin e armës, personat e maskuar ndalonin automjetet, duke u marrë shuma parash, si dhe celularët. Duket se ndalimi i automjeteve bëhej në mënyrë të përzgjedhur, ku autorët nuk dilnin pa shuma të konsiderueshme parash.
Për identifikimin e tyre specialistëve të policisë në bashkëpunim dhe me prokurorinë e rrethit gjyqësor të Vlorës u është dashur një punë disamujore, ndërsa vetëm dje janë kryer veprimet për vënien në pranga të njërit prej personave, një 20-vjeçar, banor pranë zonës ku kryheshin grabitjet. Prospen Peçi është arrestuar nga policia e Gjirokastrës, teksa tentonte të largohej në drejtim të Greqisë ilegalisht. Pas verifikimeve rezultonte se ai ishte në kërkim nga policia e Vlorës.
Burime nga policia bëjnë të ditur se zakonisht grabitjet kryheshin në orët e mbrëmjes, kohë në të cilat çiftet lëviznin në zonën e Pyllit të Sodës, si dhe plazhit të vjetër. Dy grabitësit, të cilët janë banorë të Vlorës duket se i studionin paraprakisht lëvizjet e tyre dhe sulmet u drejtoheshin gjithnjë personave që kishin një automjet të shtrenjtë, ose kur vetë ata e njihnin drejtuesin dhe kishin garancinë që do të mund të zhvasnin shuma të kënaqshme.
Grabitja nuk ishte e vështirë, për shkak se gjithçka bëhej nën presionin e armës, aq më tepër që çiftet gjendeshin të papërgatitur në momentin kur shikonin se që jashtë makinës u drejtohej tyta e armës.
Një përzgjedhje e tillë, ka qenë edhe hapi i parë i bërë në hetime, për t'i bërë hetuesit të dyshojnë se grabitësi i kishte vëzhguar dhe përgjithësisht i njihte personat të cilët frekuentonin zona të tilla, të dyja në lagjen "1 Maji", ku edhe ndodhej banesa e të arrestuarit gjatë ditës së djeshme.
Operacioni i koduar "Plazhi i vjetër" vuri në pranga një person, ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër. Shkak i hetimeve dhe operacionit është bërë regjistrimi i disa vjedhjeve me armë të njëpasnjëshme në zonën e plazhit të vjetër dhe pyllit të Sodës. Pasi kanë marrë disa kallëzime për grabitje me armë, blutë në bashkëpunim me prokurorinë e Vlorës kanë nisur hetimet.
Kështu u bë i mundur zbulimi dhe dokumentimi i katër vjedhjeve me armë, të cilat janë kryer në bashkëpunim nga 20-vjeçari Pospen Peçi, banues në zonën e plazhit të vjetër, pra lagjen "1 Maji" dhe një tjetër shtetas, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për çështje hetimi. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin për një periudhë dyvjeçare kanë vjedhur me armë shtetas të ndryshëm në vendin e quajtur Pylli i Sodës, si dhe plazhi i vjetër, në lagjen "1 Maji" të qytetit të Vlorës.
Konkretisht, në datë 12.09.2009 rreth orës 21:20 në plazhin e vjetër të Vlorës këta persona kanë vjedhur me përdorimin e armës dy celularë dhe një sasi parash shtetasve J.GJ. dhe E.D.
Më datë 19.11.2008 kanë vjedhur sërish dy celularë, bizhuteri të ndryshme e para shtetasve E.D. dhe R.S.
Në datën 13.06.2009 kanë vjedhur shtetasin E.V. të cilit i kanë marrë dy celularë Nokia dhe para, si dhe në datë 31.08.2009 kanë vjedhur ne përdorimin e armës shtetasin J.GJ.
Kështu, policia dhe prokuroria kanë dokumentuar ngjarjet të cilat janë nën hetim, ndërkohë që 20-vjeçari Peçi është çuar në paraburgim, ndërsa bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim. Me cilësinë e provës materiale, blutë kanë sekuestruar edhe disa prej sendeve të vjedhura.