Ish- polici i FNSH-së, plumba mjekut

Besnik Nikoçi, kërcënoi me armë kirurgun Besim Lama, duke qëlluar disa herë me armë brenda spitalit
Shkak për ngjarjen, sipas policisë, mendohet të jetë ndarja e autorit të ngjarjes me gruan e tij pas lidhjes me mjekun
TIRANË- Kërcënohet me armë në ambientet e spitalit ushtarak, mjeku kirurg, Besim Lama, pas një konflikti për motive të dobëta mes tij dhe një personi, pas divorcit të autorit të dyshuar të krimit me bashkëshorten e tij.
Besnik Nikoçi, 40 vjeç, nga Tropoja banues në Frutikulturë u shpall në kërkim dje në mesditë nga policia e kryeqytetit i dyshuar si autor i kanosjes me armë dhe tentativës së vrasjes së mjekut, Besim Lama, 44 vjeç banues në kryeqyetet. Ngjarja ndodhi dje paradite rreth orës 11:00, në ambientet e spitalit ushtarak.
Nikoçi, ish- polic i repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, i cili sapo ishte kthyer nga Franca, qëlloi me armë në zyrën e mjekut Lama. Policia nuk dha një version zyrtar për ngjarjen, ndërsa burime të policisë së kryeqytetit, jepnin dy versione për ngjarjen, atë të një kanosjeje me armë zjarri nga ish- efektivi Nikoçi i cili ka qëlluar në ajër.
Versioni tjetër ishte ai i një vrasjeje të mbetur në tentativë ku sipas hetuesve, dyshohej se autori i krimit kishte qëlluar në drejtim të mjekut, por për fat të mirë ai ka shpëtuar.
Menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar i krimit, mundi të largohej nga vendi i ngjarjes duke i shpëtuar në këtë mënyrë edhe kontrolleve të Policisë Ushtarake, që kanë detyrë të ruajnë zonën. Mjeku kirurg, Besim Lame, ka qenë duke shërbyer në pavionin e specialiteteve, në spitalin ushtarak, kur është vënë në shënjestër nga i armatosuri Besnik Nikoçi.
Mësohet se autori i dyshuar i ngjarjes ka shkrepur pistoletën, por fatmirësisht plumbat nuk e kanë prekur mjekun, duke shmangur kështu një ngjarje të rëndë. Pas ngjarjes, në spital mbërritën forca të shumta policie, që nisën hetimin për rrethanat e ngjarjes dhe motivet e saj.
Shkak për ngjarjen mësohet të jetë bërë fakti se mjeku Lama dyshohej të kishte pasur lidhje me bashkëshorten e ish- policit Nikoçi. Për këtë çifti vitin e kaluar, ishte ndarë ndërsa ish- efektivi i forcave speciale, ishte larguar në Francë, ndërsa ishte kthyer disa kohë më parë.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes së djeshme, ku për pak sa nuk mbeti i vdekur mjeku kirurg Besim Lama, i specializuar për kurimin e gjëndrave tiroide. Policia po heton nëse ka pasur konflikte mes mjekut dhe autorit të dyshuar të ngjarjes, ndërkohë që nga hetimet paraprake dyshohet se nuk ka për shkak detyrën e mjekut, që ushtron Besim Lame.
Sipas burimeve të Policisë, po hetohet në pistën e konflikteve personale, mes autorit të dyshuar të ngjarjes dhe mjekut të Spitalit Ushtarak, që dje i shpëtoi një sulmi me armë. Policia ka marrë në pyetje mjekun që u bë dje objekt i sulmit me armë.
Ndërkohë në pyetje janë marrë edhe kolegë të mjekut Lame, të cilët kanë rrëfyer për ngjarjen e djeshme që përfundoi pa viktima. Por hetimet e policisë janë përqendruar edhe për mënyrën që ka përdorur Besnik Nikoci për të hyrë i armatosur në Spitalin Ushtarak, pasi godina ruhet nga ushtarakë të armatosur, pasi spitali është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.