E Shtunë, 31 Tetor 2026

Re tymi mbi Elbasan, digjet fusha e plehrave

Prej dy ditësh flakët nuk janë ndalur, ndërkohë që banorët e tre lagjeve ankohen lidhur me tymin dhe erën e rëndë


ELBASAN - Zjarri i rënë dy ditët e fundit në fushën e grumbullimit të mbeturinave në qytetin e Elbasanit ka mbledhur drejtuesit lokalë në një takim urgjent lidhur me situatën e krijuar në qytet për shkak të djegies së vazhdueshme të mbetjeve urbane në pjesën fundore të qytetit të Elbasanit.


Zjarri mendohet se është ndezur aksidentalisht nga persona që grumbullojnë mbetje të riciklueshme, ndërsa temperatura e lartë e dekompozimit ka përfshirë të gjithë fushën dhe për pasojë i gjithë qyteti gjendet nën tym.


Firma sipërmarrëse për evadimin e plehrave ka ndërhyrë nëpërmjet shtresave të dheut, por ende zjarri vazhdon dhe tymi ka izoluar të gjithë banorët e pjesës fundore në lagjet "Emin Matraxhiu", "Çlirimi" dhe "Shën Koll".


Ankesat e banorëve dhe biznesmenëve


Banorët thonë se situata për ta përsëritet pasi edhe vjet ka ndodhur e njëjta gjë.
Ata janë të detyruar të mbajnë mbyllur dyer e dritare, të durojnë erën e keqe të shpërndarë gjatë 24 orëve të fundit dhe madje ta pësojnë edhe tek bizneset e tyre. Në këtë territor janë ndërtuar komplekse pishinash që e kanë të domosdoshëm ajrin e pastër për të vazhduar aktivitetin normalisht.


Përfaqësues të biznesit thonë se e njëjta situatë në këtë zonë përsëritet dhe u duhet atyre të ndërhyjnë me anë të mjeteve private. Por situata nuk duket e lehtë për fikjen e zjarrit.


Në vend kanë mbërritur zjarrfikësit, mjetet e firmës dhe pritet të ndërhyhet edhe me të gjitha mjetet private të rënda që kanë ardhur në ndihmë për këtë proces fikjeje që, sipas specialistëve, duket i vështirë.


Vendoset gjendja e emergjencës


Mëngjesin e djeshëm prefekti i Elbasanit Shefqet Deliallisi thirri shtabin e emergjencës dhe specialistë të mjedisit.


Pas konsultave është vendosur gjendje emergjente për shkak të tymit dhe masat konkrete për të minimizuar dhe izoluar zjarrin dhe erën. Kreu i agjencisë së mjedisit Adi Madhi, tha se është vendosur gjendja e emergjencës dhe nëpërmjet mjeteve të rënda do të ndërhyhet për mbulimin me dhe të sipërfaqes në zjarr. Kjo është e vetmja mundësi pasi edhe me ndërhyrjen e zjarrfikësve përpjekjet kanë qenë të kota.


Pritet që kjo masë paraprake të izolojë disi zjarrin dhe tymin që ka përfshirë të gjithë qytetin. Drejtori i zhvillimit të territorit në Bashkinë Elbasan, Bujar Kapaj, tha se kjo fushë nuk ka më një zgjidhje veç transferimit të vendgrumbullimit dhe mbulimit të kësaj sipërfaqeje me dhe.


Ai tha se fusha e grumbullimit të mbeturinave funksionon si e tillë që prej vitit 1982 dhe brenda një dite depozitohen 100 ton mbeturina. Skarpatet e larta të tyre rrahin direkt në shtratin e lumit Shkumbin, duke provokuar ndotje masive. Mbi të gjitha, këto mbeturina duhet të zhvendosen pasi janë fare pranë zonës se banueshme.


Vendi i grumbullimit të plehrave mbetet edhe këtë verë problemi më i madh ndotës i Elbasanit. Ekzistojnë dy projekte për spostimin në një tjetër vend, pasi fusha aktuale është e tejmbushur, por ende nuk ka një nismë konkrete që e zgjidh përfundimisht këtë problem të madh ndotës që po kërcënon çdo verë qytetin e Elbasanit tashmë prej 5 vjetësh.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›