E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish- presidenti Bush anullon viziten ne Zvicer. Mund te arrestohej ne Gjeneve

 Ish-presidenti amerikan, Xhorxh Bush ka anulluar një vizitë në Zvicër, ku do t’i adresohej një mbrëmje gala, për shkak se autoritetet zvicerane mund të ndërmarrin veprime ligjore kundër tij. Këto të fundit ndodhen nën një presion të madh nga grupet e të drejtave të njeriut, për ta arrestuar ish-presidentin Bush dhe për të hapur ndaj tij një hetim për urdhërim të torturës, nëse ky i fundit hyn në territorin e vendit.
Bush do të ishte folësi kryesor në darkën e përvitshme të mbledhjes së fondeve të dhënë në Gjenevë nga komuniteti cifut në shtetin alpin. Zyrtarët zviceranë thanë se kundër Bush janë ngritur padi në Gjenevë për akuza që lidhen me urdhërimin dhe lejimin e torturës nga administrate e tij kur ai ishte në krye të Shtëpisë së Baardhë. Amnesty International thotë se i ka nisur hetuesve federalë një analizë ligjore të detajuar për aktet e dhunës dhe torturës në burgjet amerikane që organizata pretendon se është përgjegjësi e Bush. 

Duke folur për agjencinë Reuters, këshilltari ligjor i Amnesty International, Matthew Pollard tha se aksioni ndaj ish-presidentit Bush ka nisur nga vetë deklaratat e tij në një intervistë televizive dhe nga detajet e librit me kujtime të publikuar vitin e kaluar. 

Padia ndaj Bush lidhet me keqtrajtimin e të dyshuarve si militantë terroristë në Guantanamo. Zyrtarët e drejtësisë zvicerane gjithsesi kanë deklaruar se Bush gëzon të drejtën e imunitetit diplomatik si ish-president, por ndjehen nën presion pasi si Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara janë mes 147 shteteve që kanë ratifikuar traktatin kundër torturës të vitit 1987. Azhornuar së fundi ( e diel , 06 shkurt 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›