E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosh: “Politika të përdorë një gjuhë më të butë, koha për dialog”

Autori i Lajmit: Redaksia
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, këshillon politikën shqiptare të zbutë tonet dhe të nisë dialogun politik. Gjatë një deklarate të shkurtër për mediat, Bosh tha se ka ardhur koha për dialog të qëndrueshëm nga të dyja palët. “Dialogu duhet të fillojë në Kuvend”,- theksoi Bosh. Ndërsa në lidhje me akuzat që po shkëmbejnë me njëri-tjetrin kryeministri Sali Berisha dhe Kryetari socialist Edi Rama, ambasadori i OSBE-së sugjeroi që palët, si qeveria dhe opozita, duhet të përdorin një gjuhë më të butë. “Nuk mund të them shumë në këtë moment, por ka ardhur koha që të shohim një dialog politik të qëndrueshëm. Normalisht, në Parlament. Dhe ka ardhur koha që të dyja palët të afrohen me njëra–tjetrën, duke përdorur një gjuhë më të butë”, - tha Bosh pas takimit të sekretarëve parlamentarë të rajonit për teknologjinë e informacionit. Lidhur me këtë çështje, Bosh ka theksuar në takim se shumë vendime tani merren në bazë të informacionit elektronik, ku dokumentet bëhen më lehtë të aksesueshëm dhe të disponueshëm se më parë. “Me përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), parlamentet kombëtare mund të jenë më transparentë me qytetarët dhe median, ku këta të fundit kanë më shumë mundësi të ndjekin procesin ligjvënës. Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit është duke ripërcaktuar të tërë strukturën e ndërveprimit ndërmjet Parlamentit, qeverisë dhe publikut”, - tha ai. Në këtë kuadër ishte dhe seminari i organizuar dje, ku merrnin pjesë ekspertë të IT-së nga parlamentet e Sllovenisë, Austrisë dhe Estonisë. Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka shfrytëzuar këtë seminar për të konsideruar si të drejta akuzat personale ndaj kryesocialistit Edi Rama. “Ska detyrim më të madh për politikën sesa të bëjë transparencë për çdo gjë: për jetën e politikanëve, për vendimet e tyre, për veprimet e tyre, për lidhjet e tyre”, - tha ajo.

Ky lajm është publikuar: 04/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›