E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agolli: “Do të zbardhim akuzat e Berishës me fakte”

Autori i Lajmit: Redaksia
Bashkia e Tiranës do të bëjë publike gjithë lejet e ndërtimit për të hequr baltën e hedhur mbi të në mënyrë të padrejtë. Kështu ka pohuar dje Dritan Agolli, administratori i Përgjithshëm në Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, fushata e përbaltjes së Bashkisë së Tiranës, që ka hyrë në vitin e dhjetë të saj, kulmoi me një mal akuzash, të mbledhura në një dosje kartoni, në duart e Kryeministrit të Republikës. “Dje, Kryeministri përmblodhi në 1 orë komunikimi publik, gjithë akuzat e këtyre dhjetë viteve ndaj institucionit të Bashkisë dhe kryetarit të zgjedhur të saj. Bashkia e Tiranës, dosjes kryeministrore të kartonit, me malin e gënjeshtrave, do ti vërë përballë 302 dosje, me dritën e së vërtetës”, - tha Agolli. Sipas tij, Bashkia e Tiranës informon si fillim opinionin publik, se nga viti 2005 deri ne 2007, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, i kontrolluar në mënyrë absolute nga qeveria dhe në të cilin Kryetari i Bashkisë nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të vetme, ka dhënë 184 leje ndërtimi. “Nga viti 2007 e deri më sot, KRRT e përbërë nga 9 anëtarë, 4 prej të cilëve janë emërime të qeverisë dhe i pesti i zgjedhur me konsesus midis të dyja forcave politike, ka miratuar 118 leje ndërtimi, thuajse në unanimitet të plotë. Bashkia e Tiranës nuk është këtu sot për tiu përgjigjur akuzave, as për tu mbrojtur, as për të dhënë prova apo fakte nga 302 dosjet e së vërtetës. Bashkia e Tiranës është këtu sot për të njoftuar lançimin e projektit më të madh të transparencës që është parë ndonjëherë në hapësirën evropiane e më tej, projekt që do të zbardhë përditë, me durim, çdo orë, çdo dosje nga këto 302 dosje, çdo fije letër, çdo emër e mbiemër pronari, çdo emër investitori, çdo pronar firme ndërtimi, çdo centimetër katror tokë, me formën dhe seriozitetin e duhur, për një kryeministër”, - tha Agolli. Ai pohoi më tej se Bashkia e Tiranës nuk do të lodhet, as do të reshtë në zbardhjen e çdo akuze, në tretjen e çdo gënjeshtre, derisa asnjë fije balte, e politikës së hedhur këto dhjetë vjet, të mos ngelet në fytyrën e saj.

Ky lajm është publikuar: 04/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›