E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish- të përndjekurit, lista e dytë me 3200 emra

Autori i Lajmit: red.
Zyrtarizohet dëmshpërblimi në lekë për 1243 emra të rinj të ish- të përndjekurve politikë të regjimit komunist. Realisht lista më e fundit e përpiluar nga ministritë përkatëse përmban 3200 emra, por vetëm për 1243 prej tyre është caktuar masa e dëmshpërblimit sipas viteve të burgut. Sipas të dhënave nga Instituti i të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, kanë mbetur edhe 2 mijë emra të tjerë, të cilët pritet të miratohen në mbledhjet e ardhshme të qeverisë. Tashmë 1243 përfituesit duhet të ndjekin procedurën duke hapur llogaritë bankare në qytetin ku jetojnë për të marrë më pas pjesën e lekëve që u takon. Ministria e Financave ka bërë llogaritjen e masës së dëmshpërblimit për çdo ish- të persekutuar, nisur kjo nga vitet e dënimit që secili prej tyre ka kryer. Pas shpalljes së listës me emrat e përfituesve, çdo person që e gjen emrin në të, duhet të paraqitet tek sportelet e një nga tetë bankave të autorizuara nga Ministria e Financave, për të hapur një llogari bankare, ku do t i kalohet shuma e parave që i takon. Pas hapjes së llogarisë, personat duhet të dorëzojnë fizikisht në çdo degë të thesarit vërtetimin, i cili përmban numrin e llogarisë, emrin, atësinë dhe mbiemrin. Pas këtij veprimi, është dega e thesarit ajo që raporton në Ministrinë e Financave dhe kjo e fundit autorizon kalimin e pagesave në llogaritë përkatëse të përfituesve. Në rast se ish-i dënuari nuk jeton më, llogaria mund të hapet në emër të bashkëshortes apo të fëmijëve, por, në këtë rast, familjarët duhet të bëjnë kujdes që të paraqesin pranë sporteleve të bankave certifikatën e vdekjes së të afërmit të tyre dhe të vërtetojnë me dokumente se janë ata trashëgimtarët e ish-të dënuarit.

Ky lajm është publikuar: 04/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›