E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani Rregullues i Tiranës, nis takimi me banorët

Nga Ermelinda Hoxhaj
Bashkia e Tiranës, për të realizuar synimet në lidhje me planin rregullues të kryeqytetit, po kryen bashkëbisedime me qytetarët. Kontributi qytetar është i rëndësishëm në projektimin dhe ndërtimin e zonave të reja. 

TIRANE- Nisin dëgjesat publike me banorët e njësive bashkiake në lidhje me Planin e ri Rregullues. Tashmë që plani ka arritur në një fazë të kompletuar, me një përcaktim paraprak të elementëve kryesorë të zhvillimit urban, nevojitet që ky proces të maturohet përmes mendimit dhe gjykimit të vet qytetarëve për të ardhmen e kryeqytetit, duke bërë të mundur detajimin e këtij plani. Në vijim të këtij turi konsultimesh, kryetari i Bashkisë, Edi Rama ka bashkëbiseduar me banorët e njësive bashkiake Nr. 5, 6, 7 dhe 10 të kryeqytetit, të konsideruara edhe si zonat e para të ndërhyrjes si dhe zona ku plani prek një sërë çështjesh me një potencial të rëndësishëm zhvillimi për Tiranën e së nesërmes. Sipas planit, në këto zona parashikohet hapja e rrugëve të reja në blloqet e banimit, fuqizimi i parkut përgjatë Lanës edhe më tutje se Shkolla Teknologjike, krijimi i një parku të ri tek ish-Fusha e aviacionit, rivitalizimi i stadiumeve ekzistuese dhe hapësirat ekzistuese sportive, përfshirë dhe klubin "Partizani", transformimin e ish-zonave industriale të degraduara, në zona me funksione mikse, etj. "Ky plan nuk është thjesht një plan urbanistik, por një plan zhvillimi ekonomik e social dhe në të cilin preken aspekte që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me nevojën për t'u pararendur prirjeve të zhvillimit si dhe për t'i pararendur situatës së një dekade më vonë, atyre nevojave dhe atyre kërkesave që kanë qytetarët sot, por që do të ketë ky komunitet kryeqytetas edhe nesër", - ka deklaruar Rama gjatë bashkëbisedimit me banorët e këtyre minibashkive.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›