Ish-ambasadori i Rugovës: Ku gënjen Paskal Milo
Skënder Zogaj komenton librin e ish-ministrit të ‘99-s
“Ai punoi kundër marrëveshjes së Rambujesë”
“Ditari i një ministri” botuar së fundmi nga ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, ka ngritur kritikat e para për vërtetësinë e fakteve që kanë të bëjnë kryesisht me konfliktin e Kosovës, marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë, roli i Rugovës dhe roli i qeverisë shqiptare në marrëveshjen e Rambujesë. Ambasadori i Ibrahim Rugovës në Tiranë në atë periudhë hedh poshtë faktet e servirura nga Milo dhe i jep përgjigje disa prej pakënaqësive mes dy qeverive shqiptare të asaj kohe, duke akuzuar pikërisht ministrin e Jashtëm se nuk punonte në krah të kosovarëve, por i shërbente regjimit serb. Skënder Zogaj, i cili ka jetuar në Tiranë në periudhën 1993-2000 dhe ka qenë përfaqësues i Zyrës së Kosovës, këshilltar për informim i ministrit të ekzekutuar në Tiranë, kolonel Ahmet Krasniqit, dhe redaktor në gazetën “Rilindja” të Kosovës në Tiranë, akuzon ish-ministrin shqiptar për “gënjeshtra” në librin e tij ndaj Presidentit Rugova dhe rolit të luajtur nga Tirana në zgjidhjen e konfliktit.
Rambujeja
Duke u fokusuar fillimisht tek përshkrimi që u bën Milo negociatave të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në qytetin e vogël francez, ish-ambasadori i Rugovës thotë se “idetë dhe mesazhet kulmore në këtë libër-ditar është thënë se janë “stigmatizimi i natyrës kriminale të regjimit të Milosheviçit, mbështetja e fuqishme dhe e vendosur ndërkombëtare, qëndrimi i vendeve fqinje, roli historik i vendimit të vështirë të delegacionit shqiptar për të firmosur në Rambuje...”. Mirëpo, pikërisht në këtë kontekst, duhet theksuar edhe stigmatizimi i natyrës prej agjenti të Paskal Milos, që në Rambuje shkon me detyrë speciale dhe e kryen punën shkëlqyeshëm, me recetën e qeverisë së Tiranës sipas porosive nga marrëveshja Nano-Milosheviç në Kretë. Ky është fakti bazik i pranisë së ish-ministrit shqiptar në Rambuje, ku është fort e vërtetë se kishte rol shumë të rëndësishëm yshtës për mosfirmosjen e dokumentit të Rambujesë, shtyrja trejavëshe e të cilit i kushtoi shumë shtrenjtë Kosovës, sepse ua dogji shpirtin qindra familjeve me mijëra të vrarë”.
Figura e Rugovës
Por ajo që e shqetëson më shumë diplomatin kosovar është mënyra se si trajtohet figura e Rugovës dhe e vërteta e marrëdhënieve mes dy qeverive të asaj kohe. “Paskal Milo flet dokrra, shpif e përgojon figurat e ndritshme, si Ibrahim Rugovën, që nuk i pëlqen misionarit Milo, sepse sipas tij, “Rugova ishte shumë i kujdesshëm në përgjigjet e tij””, - thotë Zogaj. Më tej, ai sqaron pozicionin e Presidentit kosovar, duke theksuar se “domosdo që Rugova duhej të ishte shumë i kujdesshëm, sepse ishte i mirëinformuar me synimet destruktive e shumë të rrezikshme të qeverisë së Tiranës ndaj Kosovës, prandaj strategu vizionar dhe arkitekti i çlirimit të Kosovës, me urtësinë e tij engjëllore e anashkalonte dhe i shmangej asaj, pa u marrë me kundërshtarët e tij”. Zogaj replikon me frazat konkrete të cituara nga “ditari” i ish-diplomatit shqiptar. Milo shkruan: “Ne nuk kemi informacione dhe lidhje të drejtpërdrejta me Rugovën. Ai po u shmanget kontakteve me ne dhe kjo është e çuditshme... Përfaqësuesi i Kosovës në Tiranë, I. Ramajli, është i painformuar ose i porositur të mos na informojë. Për mendimin tim, në këtë rast Rugova vepron gabim... I pëlqen ose jo Nano apo qeveria shqiptare, ata janë përfaqësuesit e shtetit amë, që po investon dhe që po rrezikon kaq shumë sot në situatën në të cilën ndodhet vendi. Rugova e ka për detyrë të bashkëpunojë me ta”. Dhe ambasadori i Rugovës i kundërpërgjigjet: “Avash more, Paskali i Milos, avash! I vogël ti dhe qeveria “Nano” për t’ia caktuar detyrat Rugovës, kur ti je dëshmitari i faktit se “Rugova së bashku me F. Aganin, B. Bukoshin, V. Surroin ishin në SHBA, ku u pritën nga Presidenti Klinton, sekretarja e Shtetit, Olbrajt dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë”, të cilët ia japin mesazhin e qartë se “Kosova po përfshihet në sferën e interesave amerikane së bashku me Shqipërinë dhe Maqedonin디.
UÇK-ja
Duke iu referuar kujtimeve të Milos për UÇK-në, diplomati kosovar thotë se “të verbra janë edhe shpifjet e shumta në relacionin Rugova - partitë politike, UÇK-ja dhe Rambujeja. Një nga ato shpifje demantohet saktë në “Ditarin” e Paskalit: “Rugova u ka kërkuar amerikanëve dhe këta e kanë kuptuar se UÇK-ja nuk duhet të quhet terroriste...”. Por më tej, ai sërish i mëshon faktit se Rugova ishte mandatari i popullit të Kosovës për të zgjidhur fatin e tij dhe këtë sipas tij, nuk e kupton diplomati shqiptar. Duke iu referuar një takimi në Romë, Milo shkruan se “I ngarkuari për takim nuk dorëzohet, kërkon nga Rugova sqarim për bisedimet me Milosheviçin dhe nënshkrimin e komunikatës së përbashkët! E Rugova i urtë, i butë, gjakftohtë: Nuk bëri asnjë përpjekje për të krijuar përshtypjen se kishte qenë peng dhe se kishte qenë i detyruar që t’i bënte këto takime dhe të mbante këto qëndrime. Më deklaroi se kishte qenë i ndërgjegjshëm se këto takime duheshin bërë... se ishte në interesin e të dyja palëve të bisedonin...”. E këtu Zogaj komenton: “Po, pse vallë habitet Paskali, kur bashkë me padronin e tij, Fatos Nanon, vullnetarisht e me shumë kënaqësi ishin takuar në Kretë me Milosheviçin dhe kishin biseduar si me Thanasin (babai i Fatosit), për “pakicën shqiptare” dhe për gjeografinë e re të atdheut të tyre, Kosovën! Jo, Paskali i Milos, jo! Kosova dhe kosovarët e kishin zotin e tyre të shtëpisë (të autorizuar me verdiktin e popullit), prijësin e urtë e mendjendritur, strategun vizionar largpamës, arkitektin e këputjes së prangave të robërisë dhe të ndërtimit të shtetit autokton në shembullin e popujve dhe vendeve më të avancuara demokratike”.