E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takime në Kuçovë

Kuçovë -Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z.Ilir Meta ka zhvilluar një takim me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj force politike në Kuçovë. Gjatë takimit, Meta paraqiti kandidatin e LSI për deputet në Kuçovë, Petrit Ago dhe deklaroi se "LSI do të dalë forcë e parë politike në Kuçovë dhe Ago do të jetë një përfaqësues i denjë i Kuçovës në parlamentin e ardhshëm, pasi kuçovarët duan njerëzit e punës".

Meta tha se me 28 Qershor, Kuçova do të ndahet njëherë e mirë me ata që e kanë konsideruar këtë qytet si një vend që sipas tyre kandidatët mjafton të varin xhaketën dhe kuçovarët votojnë symbyllurazi. Por ata e provuan se kjo xhaketë nuk pati aspak mirënjohje, respekt apo dashuri për popullin e Kuçovës. Ndaj, tha Meta, Kuçova është bastion i punës dhe dinjitetit njerëzor dhe jo bastion i asnjë lloj partie apo individi.

Duke folur më pas për krizën ekonomike në të cilën e ka zhytur vendin qeveria Berisha, Meta u shpreh se janë 100 mijë vende pune që rrezikojnë të humbasin nga falimentimi, që është në prag i gjithë atyre bizneseve të fasoneve në të gjithë Shqipërinë. Qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të ndihmuar këto biznese që të mos falimentojnë, që të mos shtojnë më tej radhët e të papunëve në Shqipëri.

Ne kërkojmë nga Qeveria, u shpreh kreu i LSI, që të marrë masa konkrete dhe të menjëhershme, siç është subvencionimi i TVSH dhe të mbulojë një pjesë të mirë të sigurimeve shoqërore, që të ndihmojë këto biznese, që ata të mos falimentojnë dhe të shkurtojnë vendet e punës dhe të shtojnë radhët tejet e gjata të papunëve në të gjithë Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›