E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Më 28 qershor marrim mandatin e ri qeverisës



“Investuam kudo, pavarësisht bindjeve politike”

“Shqipëria, e barabartë me shtetet e përparuara”

Në kulmin e procesit të brendshëm zgjedhor të PD-së, Genc Ruli, deputet dhe ministër i Ekonomisë, që nga Gjirokastra lajmëron anëtarësinë e PD-së në mbarë vendin, se më 28 qershor e djathta do të marrë mandatin e ri qeverisës. Sipas tij, qeveria “Berisha” investoi për qytetarët shqiptarë në çdo zonë të vendit, pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike. Në kushtet të tilla, ai shpreh sigurinë e plotë se në zgjedhjet e reja të 28 qershorit, mazhoranca rikonfirmon mandatin e ri qeverisës. Në kuvendin e 9-të të degës së PD-së së Gjirokastrës, mori pjesë dje edhe deputeti i zonës, njëherazi ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Para anëtarësisë së PD-së, z. Ruli përmendi se “Partia Demokratike gjatë katër viteve të fundit, së bashku me angazhimet e çdo anëtari të thjeshtë, ka ndryshuar imazhin e vendit tonë”. Ai falënderoi të gjithë grupin e punës, të cilët patën një angazhim serioz dhe përkushtim për të mbarëvajtur të gjithë këtë proces zgjedhor në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës. Z.Ruli shtoi se "edhe disa muaj na ngelen për të rifituar edhe një mandat të dytë qeverisës për të djathtët, pasi PD-ja në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e djathtë kanë realizuar premtimet e vitit 2005". Sipas tij, qeverisja e PD-së në këto katër vjet pati largpamësinë për të qeverisur Shqipërinë me politika dhe objektiva strategjike, duke u karakterizuar nga kuraja dhe dëshira për t’i realizuar ato. “Zgjedhjet lokale të vitit 2007 ishin një fitore e dyfishtë për të djathtën në Qarkun e Gjirokastrës. Për herë të parë, PD fitoi në një zonë të cilën analistët e kishin cilësuar si bastion të së majtës. Qeverisja e djathtë investoi në përmirësimin e jetës së çdo qytetari, pavarësisht bindjeve politike”, - cilësoi Ruli. Sipas tij, tashmë shqiptarët nuk vuajnë mungesën e theksuar të energjisë elektrike. Ata përjetojnë ndryshimin e infrastrukturës rrugore, për të udhëtuar nga Gjirokastra drejt kryeqytetit nuk duhen më shumë se tre orë e gjysmë. “Unë nuk besoj se Shqipëria në këto 20 vjet të ketë pasur imazh më të mirë e më serioz në stacionin ndërkombëtar, sesa këto katër vitet e fundit. Besoj se reformat e ndërmarra nga Partia Demokratike kanë qenë të frytshme. Ekonomia e vendit tonë është rritur më fuqishëm dhe më me dinamizëm”, - tha Ruli, duke shtuar se "10% e buxhetit të shtetit aktualisht shkon drejtpërdrejt në investimet publike, duke bindur ndërkombëtarët se Shqipëria është në gjendje të ecë përpara". “Këto ndryshime kanë bërë që vendi ynë së shpejti të jetë anëtar me të drejta të plota në strukturat e NATO-s. Disa vjet më parë, hyrja në NATO ishte “mollë e ndaluar”, për shkak të korrupsionit socialist, ndërsa ne sot ndihemi krenarë, se Shqipëria bëhet e barabartë me shtetet e përparuara”, - u shpreh Genc Ruli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›