Mjeku nuk denoncon plagosjen, ndiqet penalisht
Nis procedimi penal për mjekun Pirro Misko për shpërdorim detyre, pasi nuk kishte denoncuar rastin e plagosjes së gruas nga bashkëshorti i saj
Korçë Policia e Korçës denoncon një mjek për shpërdorim detyre. Nuk njoftoi për një paciente të plagosur. Një mjek i spitalit rajonal të Korçës ka fshehur një krim, ndërsa nuk ka kryer procedurën e zakonshme rutinore të njoftimit të policisë për një grua të plagosur me thikë, e shtruar urgjent nga familjarët e saj. Për mjekun kirurg Piro Mosko, 60-vjeçar, banor i qytetit të Korçës, ka nisur hetimi, ndërsa do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Historia që ka çuar kirurgun në një padi nga vetë uniformat blu ndaj tij, ka filluar një ditë më parë. Pirro Mosko, bëjnë të ditura burimet zyrtare të policisë lokale, ka qenë në punë. Rreth orës 14.00 ka mbërritur në urgjencën e spitalit të qytetit, e goditur me thikë në pjesën e barkut, shtetësja Danjela Bregu, 25 vjeç, banore e fshatit Dishnicë në rrethin e Korçës. Megjithëse mjeku është marrë me trajtimin mjekësor të të plagosurës, në asnjë moment nuk ka bërë njoftimin pranë sallës operative të Drejtorisë së Policisë në Korçë, një procedurë e zakonshme që zbatohet për raste të tilla të ngjashme. Policia nëpërmjet rrugëve të saj ka mundur të sigurojë informacionin për ngjarjen e ndodhur në Dishnicë, ndonëse një ditë me vonesë, teksa ka mësuar se e plagosura ka patur një grindje me bashkëshortin e saj shtetasin Gentian Bregu 26 vjeç. Grindja mendohet të ketë si shkak motivet e xhelozisë, ndërsa si rezultat i saj bashkëshorti i të resë ka arritur deri aty sa të godasë me thikë të shoqen, duke e lënë të plagosur në vend. Pas hetimeve intensive të policisë, është bërë e munduar arrestimi i autorit të kësaj plagosjeje, i cili akuzohet për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. E plagosura në gjendje të rëndë shëndetësore ndodhet në reanimacion në spitalin rajonal, duke qenë nën vëzhgimin e vazhdueshëm të mjekëve. Ndërkaq mjeku kirurg Piro Mosko është vënë nën akuzë, ndërsa ka nisur dhe një hetim i posaçëm nga ana e prokurorisë për këtë të fundit. Mosko do të përballet me drejtësinë me veprën penale të shpërdorimit të detyrës, ndërsa mësohet se sqarimet e tij për mungesën e informacionit të policisë kanë qenë të paqarta. Ky është rasti i parë kur një mjek vihet përballë përgjegjësisë, pasi u përpoq të mos informonte për një krim të kryer ndaj një pacienti që ka kërkuar ndihmën e parë mjekësore në spital. Irena Vreto