Ish-deputetë e zv.ministra të PS kalojnë tek LSI
Deputetë ish-ministra socialistë dhe anëtarë forumesh i janë bashkuar dje LSI-së. Gjatë një konference për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili përshëndeti vendimin vullnetar të tyre dhe bashkimin e forcave të majta për fitoren e 28 qershorit. Pjetër Dema, ish-deputet i PS, ish-zv.ministër i Energjetikës, Hasan Hoxha, ish-deputet, drejtues i PS në Tiranë dhe anëtar i KPD të PS për shumë vite, Qemal Kuçi, Ish-sekretar i PS në Tiranë, Lufti Lami, ish- sekretar i PS për rrethin e Tiranës dhe këshilltar Bashkia Kamëz dhe të tjerë i janë bashkuar dje Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas tyre arsyeja e largimit nga Partia Socialiste ka qenë mënyra se si lidershipi i saj po drejton këtë parti, duke përjashtuar ata që kanë pasur kontribute që në krijimin e saj. Nga ana e tij, Petrit Vasili ka akuzuar dhe kryetarin socialist Edi Rama, se me anë të premtimeve për leje ndërtimi po godet elementë të dobët të LSI-së, për t’i tërhequr drejt PS-së. “Amoraliteti i blerjes me leje ndërtimi dhe para të thata në dorë të individëve të tillë nuk i ka bërë asnjë dëm LSI-së, përkundrazi ka pasur një efekt spektakolar pozitiv, sepse e çliruar prej tyre LSI ka shtuar radhët e saj me qindra e qindra anëtare dhe organizata të tëra partish në të gjithë vendin, që i bashkohen asaj dhe moralit të shëndoshë politik dhe personal të saj”, tha Vasili. Ndërkaq tre anëtarë të Këshillit Bashkiak të Vlorës, përfaqësues të LSI-së i janë bashkuar PS-së. Albana Hodaj, Marand Hoxha dhe Artan Licaj deklaruan dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak se “puna e tyre në strukturat e LSI-së së Vlorës nuk është vlerësuar dhe e shikonin si një forcë me pak perspektivë dhe jo largpamëse”.