E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë për shtëpitë, ja rregullat e reja për bankat

 

Banka e Shqipërisë ka publikuar rregulloren e re të kredive për shtëpi dhe asaj konsumatore për individin. Gazeta boton të plotë rregullat e reja të transparencës që duhet të zbatojnë bankat për dhënien e kredive. Sipas bankës, rregullorja e re do t’i sigurojë kredimarrësit një informacion më të kualifikuar, nëpërmjet një procesi të krahasimit të ofertave që ofrojnë banka të ndryshme për të njëjtin produkt. Kërkesat e rregullores detyrojnë sistemin bankar të sigurojnë informimin e plotë të klientit para lëvrimit të kredisë, të të gjitha kostove që shoqërojnë klientin gjatë kohëzgjatjes së kredisë dhe të penaliteteve, në rast të mosrespektimit të kontratës.

RREGULLORJA
Informacioni parakontraktor dhe kontraktor
1. Banka i paraqet konsumatorit në formë të shkruar informacionin e duhur dhe kryesor, përpara lidhjes së kontratës së kredisë konsumatore, në mënyrë që ai të ketë njohuri të plota për transaksionin e lidhjes dhe ekzekutimit të kontratës, si dhe të ketë mundësi të zgjedhë ofertën më të leverdishme në treg.
2. Informacioni parakontraktor përfshin:
a. vlerën totale të kredisë ose kufirin e kredisë në rastin e kredisë kufi (overdraftit) dhe/ose kartës së kredisë;
b. kushtet për lëvrimin dhe tërheqjen e kredisë;
c. kohëzgjatjen e kontratës së kredisë;
d. normën efektive të interesit nëpërmjet një shembulli përfaqësues dhe të dhënat financiare dhe supozimet e përdorura për llogaritjen e kësaj norme, kur janë të aplikueshme;
e. normën e interesit dhe çdo indeks ose normë reference të aplikueshme mbi këtë normë interesi, si dhe periudhat, kushtet dhe procedurat për ndryshimin e saj;
f. vlerën e këstit, numrin e kësteve dhe periodicitetin e shlyerjeve të kësteve (pagesave), si dhe kur është e mundur të paraqitet një plan i shlyerjes së kredisë;
g. kushtet e përdorimit dhe të shlyerjes në rastin e kredisë kufi (overdraftit) ose kartës së kredisë;
h. mënyrën e njoftimit të konsumatorit në rastin e ndryshimeve të kushteve të cilat sjellin pasoja për detyrimet pasurore të konsumatorit në bazë të kontratës;
i. koston e mbajtjes së një llogarie për kryerjen e transaksioneve të lëvrimit të kredisë dhe të pagesave, koston e përdorimit të një karte apo mjeti tjetër pagese për transaksionet e lëvrimit të kredisë dhe të pagesave, kosto të tjera lidhur me transaksionet e pagesave (kur është e aplikueshme);
j. çdo kosto shtesë që është e detyrueshme për përfitimin e kredisë;
k. garancitë/kolateralin dhe sigurimin e kërkuar (kur është e aplikueshme);
l. ekzistencën e të drejtës së tërheqjes nga kontrata, periudhën gjatë të cilës mund të ushtrohet kjo e drejtë dhe procedurat për ushtrimin e kësaj të drejte;
m. të drejtën për të shlyer para afatit si dhe kostot që rrjedhin nga kjo (kur është e aplikueshme), duke treguar vlerën dhe metodën e llogaritjes;
n. kushtet penale dhe kamatëvonesat në rastin e pagesave që kryhen pasi u ka kaluar afati, siç janë të zbatueshme në kohën kur jepet ky informacion, si dhe penalitetet në rast të mosrespektimit të kushteve dhe/ose afateve të tjera të kontratës;
o. detyrimin për konsumatorin, në rastin kur në kontratën e kredisë kufi (overdraftit) parashikohet që kredia të shlyhet në çdo kohë me kërkesën e bankës, me një këst të vetëm ose brenda një afati tremujor, nëse është e aplikueshme;
p. kohën e vlefshmërisë së informacionit parakontraktor për konsumatorin.
3. Banka i sugjeron konsumatorit, llojin dhe vlerën më të përshtatshme të kredisë, ndërmjet kredive që ajo ofron, duke marrë parasysh gjendjen financiare dhe/ose aftësinë paguese të konsumatorit, avantazhet dhe disavantazhet që shoqërojnë produktin e propozuar dhe qëllimin e kredisë.
4. Banka, me kërkesë të konsumatorit, plotëson kërkesat e informacionit parakontraktor si dhe jep shpjegime shtesë, me qëllim që konsumatori të jetë në gjendje të marrë vendimin e duhur.
5. Banka informon konsumatorin në rastin e mosmiratimit të kredisë konsumatore të shoqëruar me arsyet përkatëse.
6. Informacioni i treguar më lart duhet t’i vihet në dispozicion konsumatorit edhe në rastin kur ai hap një llogari rrjedhëse dhe ka të drejtë që të përdorë shuma më të mëdha se sa gjendja e kësaj llogarie, në formën e kredisë kufi (ovedraftit).
Informacioni kontraktor
1. Kontrata e kredisë konsumatore përfshin elementet e mëposhtme:
a. qëllimin e kredisë;
b. të dhëna të plota për identitetin dhe adresat e palëve kontraktore;
c. vlerën totale të kredisë dhe kushtet për lëvrimin e saj;
d. afatin e maturimit të kredisë;
e. normën e interesit, kushtet që përcaktojnë mënyrën e zbatimit dhe përllogaritjes së kësaj norme, çdo indeks ose normë reference të zbatueshme, si dhe periudhat, kushtet dhe procedurat për ndryshimin e normës së interesit, duke përcaktuar dhe mënyrën e njoftimit të konsumatorit për çdo ndryshim të mundshëm;
f. normën efektive të interesit dhe totalin e kostos së kredisë për konsumatorin, të llogaritur në kohën që lidhet kjo kontratë kredie:
i) të dhënat financiare dhe të gjitha supozimet e përdorura për llogaritjen e kësaj norme,
ii) kushtet sipas të cilave mund të ndryshojë kjo normë, ose
iii) në rastet kur është objektivisht e pamundur të jepet norma efektive e interesit, konsumatorit i jepet informacion i mjaftueshëm në kontratën e shkruar për kostot/shpenzimet e kredisë;
g. çdo shpenzim që nuk përfshihet në llogaritjen e NEI-t, por që do të paguhet nga konsumatori në rrethana të caktuara duke treguar qëllimin si dhe vlerën në rastet kur është e njohur;
h. shumën e këstit, numrin dhe periodicitetin ose datat e çdo kësti (pagesave të konsumatorit) për të shlyer kredinë, dhe çdo shpenzim tjetër lidhur me dhënien dhe përdorimin e kredisë, të paraqitur në një plan shlyerjeje të kredisë;
i. koston e mbajtjes së një llogarie apo të përdorimit të një mjeti pagese për transaksionet e lëvrimit të kredisë dhe të shlyerjeve/pagesave, dhe kosto të tjera lidhur me transaksionet e pagesave (kur është e aplikueshme);
j. garancitë e vendosura për të siguruar ekzekutimin e kontratës së kredisë, dhe sigurimi i jetës ose i pronës (kur janë të aplikueshme);
k. të drejtën e tërheqjes nga kontrata e kredisë, sipas përcaktimit të nenit 11 të kësaj rregulloreje;
l. të drejtën për shlyerjen e kredisë para afatit dhe të përfitimit të një reduktimi të kostos totale të kredisë;
m. kostot/penalitetet si dhe procedurat dhe metodologjinë e llogaritjes së tyre, të cilat konsumatori duhet t’i paguajë në rastin e shlyerjes së pjesshme ose të plotë të kredisë, përpara afatit të maturimit;
n. formën juridike të vendosjes së kolateralit, vlerësimin dhe mënyrën e vënies në ekzekutim të tij (kur është i aplikueshëm);
o. penalitetet lidhur me mosrespektimin e detyrimeve kontraktore të cilat nuk janë përfshirë në llogaritjen e normës efektive të interesit, por të cilat paguhen nga konsumatori në rrethana të caktuara si dhe përcaktimi i këtyre rrethanave. Në rast se njihet vlera e saktë e këtyre penaliteteve që në momentin e lidhjes së kontratës jepen shumat respektive dhe në rast të kundërt, jepet metoda e përllogaritjes së tyre.
2. Në rastin e kredisë konsumatore e cila shlyhet me këste, si pjesë të kontratës ose si aneks të saj, banka paraqet edhe:
a. planin e shlyerjes së kredisë në momentin e dhënies së kredisë; dhe
b. mënyrën e llogaritjes së normës efektive të interesit (duke përfshirë në llogaritje të gjitha pagesat e paracaktuara që kredimarrësi paguan në momentin e marrjes së kredisë dhe gjatë gjithë kohëvazhdimit të saj) duke dhënë një shembull të detajuar.
3. Një bankë mund të përfshijë në kontratë me vullnetin e saj edhe informacion tjetër
Kërkesa të përgjithshme mbi kontratat e kredisë
1. Kontratat e kredisë që përbëjnë objektin e kësaj rregulloreje bëhen në të gjitha rastet me shkrim dhe një kopje e kontratës së firmosur nga palët, i jepet personalisht konsumatorit në momentin e lidhjes së kontratës ose i dorëzohet apo dërgohet nga banka me postë të regjistruar në adresën e konsumatorit, brenda një periudhe prej 10 (dhjetë) ditësh pune nga nënshkrimi i kontratës.
2. Në rastin e çdo kontrate garancie që siguron shlyerjen e detyrimit që lind nga kontrata kryesore e kredisë, kopje e kontratës së garancisë dhe e kontratës së kredisë i jepet edhe garantuesit të kredisë, në rast se ky i fundit është një person i ndryshëm nga kredimarrësi.
3. Një kontratë kredie konsumatore në çdo rast përcakton qartë kushtet e lëvrimit, qëllimin e përdorimit të kredisë si dhe kushtet dhe afatet e shlyerjes së kredisë, së bashku me penalitetet përkatëse.
4. Kontrata e kredisë konsumatore përmban një dispozitë të veçantë për periudhën që konsumatori ka të drejtë të tërhiqet nga kontrata sipas përcaktimeve të nenit 11 të kësaj rregulloreje.
Kërkesa të veçanta për kontratat e kredisë kufi (overdraft-i) dhe për kartë krediti
1. Konsumatori informohet rregullisht por jo më pak se një herë në vit për gjendjen e llogarisë së tij, nëpërmjet një dokumenti “gjendja e llogarisë” (statement of account) që përmban informacionin e mëposhtëm:
a. periudha së cilës i përket gjendja e llogarisë (data e fillimit dhe data e fundit);
b. gjendja në fillim të periudhës;
c. vlerat/shumat, si dhe datat përkatëse kur kredia është vënë në dispozicion të konsumatorit me përshkrimin përkatës;
d. gjendja e llogarisë pas xhirimit të shumës/shumave të kredisë (bilanci i ri);
e. vlerat/shumat e pagesave dhe datat përkatëse kur janë kryer pagesat nga konsumatori, përshkrimi i veprimit/eve;
f. normën e fundit të interesit të rënë dakord;
g. çdo shpenzim/pagesë për interesat apo/dhe komisioni që është aplikuar, përshkrimi përkatës;
h. gjendja e llogarisë në fund të periudhës.
2. Banka njofton konsumatorin gjatë kohëzgjatjes së kontratës së kredisë, për ndryshimet në normën e interesit ose në kostot e pagueshme, siç përcaktohet në rregulloren “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”.
Kërkesa të veçanta për kontratën e kredisë hipotekare për individin
1. Në rastin e një individi që aplikon për kredi hipotekare, banka është e detyruar t’i paraqesë atij informacionin standard parakontraktor të plotësuar dhe personalizuar.
2. Banka publikon në ambientet e saj dhe pajis individin me informacion në formë të shkruar mbi mënyrën e përllogaritjes dhe/ose të ndryshimit të normës së interesit të kredisë hipotekare për individin, duke i ofruar klientit si një nga mënyrat e kuotimit të kredisë hipotekare, indeksimin e normës së interesit të kësaj të fundit me normën bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë për marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes (repo).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›