E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha takon Klintonin: Shqipëria, anëtare e NATO

 

ADI SHKEMBI

SHBA vlerëson progresin e Shqipërisë dhe shprehet e sigurt se në prill Tirana zyrtare do të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO. Këtë e bëri të ditur dje Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Jashtme, kreu i diplomacisë shqiptare bisedoi me Sekretaren e Shtetit gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, në Bruksel. “Gjatë takimit me z.Basha, znj.Klinton vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO, duke shprehur bindjen se në Strasburg/Kehl, Shqipëria do të ulet si anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme. Në fjalën e tij përpara Këshillit të Atlantikut të Veriut, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, pasi vlerësoi faktin se vendet anëtare finalizuan në një kohë rekord të të gjitha procedurave të nevojshme për ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, shpreh gatishmërinë e Shqipërisë për marrjen e përgjegjësive që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO. “Ndërsa Shqipëria përgatitet për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e Aleancës në Samitin e Strasburg/Kehl 2009, pikërisht në 60-vjetorin e Aleancës, ne jemi më shumë se kurrë të vetëdijshëm për vlerat dhe parimet që mbart kjo Aleancë dhe më të vendosur se kurrë për të dhënë kontributin tonë për t’i ruajtur dhe për t’i avancuar ato, si në vendin tonë, në rajon dhe kudo”, theksoi Basha. “Në të gjitha takimet që z. Basha zhvilloi gjatë dy ditëve të qëndrimit të tij në Bruksel, si dhe gjatë Plenares së Këshillit të Atlantikut të Veriut, ai mori vlerësimin e qartë të të gjithë interlokutorëve për reformat e ndërmarra nga Shqipëria në drejtim të arritjes së standardeve të Aleancës”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Në këtë takim, qëllimi kryesor i të cilit ishte përgatitja e dokumenteve që do të adoptohen në Samitin e Strasburg/Kehl-it nga kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Aleancës, u diskutuan një numër i madh çështjesh që kanë të bëjnë me të ardhmen e NATO-s, në mënyrë të veçantë operacionet e saj në Afganistan dhe Kosovë, marrëdhëniet e saj me Rusinë, rritja e eficencës së organizatës etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›