E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “PS-ja do të bashkëpunojë me të gjithë për reformën zgjedhore”

Vazhdojnë polemikat mes Partisë Socialiste dhe LSI-së. Vasili: “Rama pranoi paktin e fshehtë me PD-në”
Shaban Sulçe
Reforma zgjedhore vazhdon të jetë mollë sherri mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kryetari i PS-së, Edi Rama, shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore me të gjitha forcat politike, përfshirë edhe Partinë Demokratike. Ndërkohë, LSI-ja, me anë të sekretarit të Përgjithshëm të saj, Petrit Vasili, shprehet se akuzat për pakt të fshehtë mes PD-PS-së për reformën zgjedhore janë vërtetuar pas deklaratës së bërë nga kreu i selisë rozë, Edi Rama.
Rama
Në konferencën për shtyp, Rama tha se për të realizuar reformën elektorale, e cila duhet të përmbushë 5 kushtet e vendosura prej selisë rozë, PS-ja është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike. “E kemi të domosdoshëm që të biem dakord me të gjitha palët, me Partinë Demokratike dhe me të gjitha partitë e tjera që në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje pa karta identiteti, që në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje pa lista votuesish që burojnë nga regjistri kombëtar i zgjedhësve, që në Shqipëri, pa dyshim, nuk mund të ketë më zgjedhje me fletët e Dushkut, që në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje me të ashtuquajtura lista të hapura. Sepse janë të qarta konsekuencat dramatike të këtyre, të ashtuquajtura lista të hapura në të gjitha proceset e mëparshme zgjedhore, siç është e qartë edhe rekomandimi i ODIHRI-t, por edhe vizioni ynë për ta thjeshtuar sistemin zgjedhor të votimit dhe të numërimit”, - tha kryetari i Partisë Socialiste. Më tej Rama foli rreth polemikave dhe ndërprerjes së bashkëpunimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim. “Pa dyshim që dyert tona janë dhe do të jenë të hapura për mikun tonë Ilir Meta dhe pa dyshim që unë uroj çdo ditë, që miku ynë dhe miku im Ilir Meta ta kuptojë se nuk është koha e ndarjeve të vjetra, por e një bashkimi të ri, se nuk është koha e llogarive të vogla partiake, por është koha e vënies të interesave të vendit mbi interesat e vogla partiake”, - tha Rama.
Vasili
I menjëhershëm ka qenë reagimi i LSI-së pas deklaratës së bërë nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha: “Duke pranuar publikisht sot, se është në bisedime intensive me PD-në për reformën zgjedhore, kreu i PS-së konfirmoi atë të vërtetë të madhe që denoncoi LSI-ja dhe shumë parti të tjera parlamentare, se lidershipet PD-PS prej kohësh po punojnë në mënyrë të fshehtë për të realizuar një komplot të ri ndaj zgjedhjeve në Shqipëri”, - tha Vasili. Më tej sekretari i Përgjithshëm deklaroi: “Braktisja nga ana e PS-së e platformës së bashkëpunimit të partive opozitare të majit 2006, që si shtyllën e saj kryesore ka qëndrimet e përbashkëta dhe unike për reformën zgjedhore, dëshmon qartë pabesinë dhe shitjen e interesave të elektoratit të majtë dhe atij mbarë opozitar dhe për këtë lidershipi i PS-së do të mbajë gjithë përgjegjësinë. Nuk mundet as kreu aktual i PS-së dhe askush tjetër t’i kujtojë LSI-së dhe zotit Meta interesat e vendit, sepse ka qenë pikërisht LSI-ja dhe zoti Meta që nuk u bënë pjesë e masakrës elektorale të Dushkut dhe që nuk kanë qenë asnjëherë të lëkundur për interesat e integrimit të vendit, kur PS-j ka qenë sistematikisht e paqartë, e lëkundur dhe plot oshilacione”, - tha Vasili.

27 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›